Gara për president të SHBA-së po bëhet gjithnjë e më e nxehtë.
Kandidati republikan për president të SHBA-së, Donald Trump ka zgjedhur si kandidat për zëvendëspresident, senatorin e Ohios, JD Vance.
Kamala Harris, kandidatja demokrate për presidente, është përgjigjur me guvernatorin e Minnesotës, Tim Walz.
Meqenëse janë zgjedhur dy kandidatët për zëvendëpresident, CNN ka publikuar një përmbledhje të shkurtër rreth guvernatorit të Minnesotës, Tim Walz dhe senatorit të Ohios, JD Vance.
Tim Walz
Tim Walz është në mandatin e dytë si guvernator i Minnesotës dhe së fundmi ishte kryetar i Shoqatës së Guvernatorëve Demokratë. Dikur ishte mësues në një shkollë të mesme publike dhe trajner i futbollit amerikan (ragbi) ndërsa shërbeu në Gardën Kombëtare të Ushtrisë.
Walz më vonë shërbeu 12 vjet në Kongresin amerikan, duke përfaqësuar një distrikt rural me prirje konservatore të Minnesotës.
Walz ka qenë një mbrojtës i hapur i presidentit amerikan, Joe Bidenit, por kur ai u tërhoq prej garës, ai mbështeti Kamala Harrisin dhe që atëherë është shfaqur si një avokat i besueshëm, energjik dhe mbështetës i palëkundër i fushatës së zëvendëspresidentes aktuale amerikane.
JD Vance
JD Vance u zgjodh në Senatin amerikan nga Ohio në vitin 2022 pasi u mbështet nga ish-presidenti amerikan, Donald Trump në zgjedhjet paraprake të diskutueshme republikane.
Një sipërmarrës kapitalist dhe autor i librit “Hillbilly Elegy”, Vance kishte qenë dikur një zë kyç në lëvizjen “Kurrë Trumpi” gjatë zgjedhjeve të 2016.
Por, më vonë ai u bë një nga përkrahësit kryesorë të MAGA-s së Trumpit, duke bërë paraqitje të njëpasnjëshme në Fox News, televizion që njihet i afërt me partinë republikane. /Telegrafi/