Site icon Telegrafi

Çeku: Terroristët shkatërruan strukturën fizike të Manastirit të Banjskës – po presim vlerësimin e dëmeve që pastaj të ndërhyjmë

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku ka dënuar sulmin terrorist që ndodhi të dielën e 24 shtatorit ndaj Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit.

Çeku në mbledhjen e Qeverisë, ka thënë se është e papranueshme që objektet e trashëgimisë kulturore e fetare të përdorën për qëllime kriminale.

“Sulmi terrorist i sponsorizuar nga shteti i Serbisë, përveç që ja mori jetën një polici të devotshëm të Kosovës, kishte dimension të rrezikshëm dhe të dëmshëm atë të përdorimit të një aseti të trashëgimisë kulturore dhe fetare për qëllime kriminale”, ka thënë Çeku.

Ministri ka shtuar se manastiri ortodoks në Banjskë, monument i trashëgimisë kulturore i mbrojtur me ligjet e Kosovës u përdor si strehë nga grupi terrorist, përfshirë armatimin e tyre.

Lexo po ashtu Vrasja e policit në veri – reshterit Bunjaku sot i jepet lamtumira e fundit

“Manastiri i Banjskës është ndërtuar në shekullin 14 mbi rrënojat e një kishe të vjetër të hershme palo-kristiane dhe supozohej që në atë lokacion gjendej dhe një vendbanim antik romak pasi që aty janë gjetur mbishkrime epigrafike të periudhës romake”, tha ministri.

Çeku theksoi se terroristët kanë shkaktuar dëme jo të vogla në strukturën fizike të këtij manastiri.

“Besoj thellë që qëllimi i pjesëtarëve të këtij grupi dhe urdhërdhënësve të tyre kanë qenë  që përveç dëmit fizik në manastir të dëmtohen edhe marrëdhëniet ndërfetare dhe ndëretnike në Kosovë”, u shpreh ai.

Ministri tutje shtoi se janë duke pritur ekipet profesionale nga autoritetet e trashëgimisë kulturore të vizitojnë monumentin për të bërë vlerësimin e dëmeve.

“Pas kësaj do të ndërmarrim të gjitha veprimet e nevojshme për ndërhyrje profesionale me qëllim sanimin e dëmeve në strukturën fizike të këtij manastiri. Gatishmëria dhe vullneti ynë ka qenë dhe vazhdon të jetë në nivel të lartë në mbrojtje të trashëgimisë kulturore”, tha në fund ministri Çeku. /Telegrafi/

Exit mobile version