Një grua në Brazil ka sjellë në jetë një fëmijë gjigant me përmasa 59 centimetra dhe që peshon 7.3 kilogramë.
Angerson Santos erdhi në botë pas prerjes cezariane në Spitalin Padre Colombo në Parintins, shteti Amazonas, të mërkurën, më 18 janar.
Mjekët besojnë se foshnja është më e madhja që ka lindur ndonjëherë në shtet, duke mposhtur rekordin e mëparshëm prej 5.9 kilogramëve dhe 53 centimetrave, raporton mirror.
Nëna e tij – 27-vjeçarja Cleidiane Santos dos Santos – kishte vizituar spitalin për një konsultë rutinë obstetrike. Por, mjekët e kuptuan shpejt se foshnja e palindur do të ishte shumë e madhe që ajo të mbarte deri në lindje, kështu që e mbajtën atë për një seksion cezarian.
Kirurgët kryen prerjen cezariane të nesërmen dhe Angerson lindi me peshë 7.328 kilogramë dhe 59 centimetra.
Foshnja është në një inkubator, por është në gjendje të qëndrueshme dhe nuk ka anomali, sipas mjekëve në spital.
Angerson është aq i madh sa të gjitha rrobat e foshnjës që i kishin blerë prindërit nuk i përshtaten, kështu që spitali ka nisur të mbledhë fonde për të ndihmuar familjen.
Angerson thyen rekordin e mëparshëm shtetëror të Amazonas të vendosur nga Pedro Aluizio, i cili lindi në Parintins në 2014 me peshë 6.74 kilogramë dhe masë 57 centimetra.
Para kësaj, rekordi mbahej nga një foshnjë e lindur në komunë në vitin 2011 me peshë 6.12 kilogramë dhe masë 56 centimetrash. /Telegrafi/