Ministri i Drejtësisë në Mal të Zi, Bojan Bozoviq, ka nënshkruar vendimin për ekstradimin e Do Kvonit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).
Gjykata e Lartë e Malit të Zi më herët kishte marrë një vendim që përcaktonte se janë plotësuar kushtet ligjore për ekstradimin e Do Kvonit, bazuar në kërkesën e autoriteteve përkatëse të Republikës së Koresë dhe SHBA-së, shkruan vijesti.me.
“Duke marrë parasysh vendimin e Gjykatës së Lartë, Ministria e Drejtësisë ka shqyrtuar të gjitha faktet dhe rrethanat, si dhe ka vlerësuar kriteret si rëndësinë e veprave penale, vendin e kryerjes së tyre, renditjen e paraqitjes së kërkesave, shtetësinë e personit të kërkuar, mundësinë e ekstradimit të mëvonshëm në një shtet tjetër, si dhe rrethana të tjera. Duke marrë parasysh këto, është konkluduar se shumica e kritereve të parashikuara me ligj favorizojnë kërkesën për ekstradim të autoriteteve përkatëse të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Për këtë arsye, ministri i Drejtësisë ka marrë vendim për të lejuar ekstradimin e Kvon Do Hyeong në SHBA dhe për të refuzuar kërkesën për ekstradim në Republikën e Koresë”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Drejtësisë.
Autoritetet amerikane dhe koreano-jugore kanë hetuar Do Kvonin për rolin një nga skandalet më të mëdha në historinë e kriptovalutave. Në muajin maj të vitit 2022, vlera e dy kriptovalutave të krijuara prej tij, TerraUSD dhe Luna, ra në mënyrë drastike, duke shkaktuar një humbje prej 40 miliardë dollarësh në tregun e kriptovalutave, sipas mediave amerikane.
Ky incident shkaktoi një efekt zinxhir që çoi në falimentimin e kompanive të tjera të kriptovalutave dhe humbjen e kursimeve për investitorët globalë. Hetimet konkluduan se Do Kvon kishte mashtruar investitorët dhe dyshohej se kishte fshehur pasuri.
Do Kvon dhe partneri i tij i biznesit, Han Cheng Jun, u arrestuan më 23 mars të vitit të kaluar në aeroportin e Podgoricës, pasi gjatë kontrollit të pasaportave për fluturimin e tyre për në Dubai, përdorën pasaporta të falsifikuara.
Në Mal të Zi, Do Kvon u dënua me katër muaj burg – ndërkohë që SHBA dhe Koreja e Jugut filluan të këmbëngulin për ekstradimin e tij. Pas lirimit nga burgu në Spuz më 23 mars, ai u shoqërua nga policia te inspektorët për çështjet e të huajve dhe, pas një marrjeje në pyetje pesë orëshe, u dërgua në Qendrën e Pritjes për të Huajt. Atje, ai do të qëndrojë deri në zbatimin e vendimit për ekstradim. /Telegrafi/