Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, përmes një postimi në Twitter ka njoftuar se është arritur marrëveshja mes Kosovës e Serbisë për qështjen e letërnjoftimeve.
“Sipas Dialogut të lehtësuar nga BE-ja, Serbia ra dakord të shfuqizojë dokumentet e hyrjes/daljes për mbajtësit e letërnjoftimeve të Kosovës dhe Kosova u pajtua që të mos i prezantojë ato për mbajtësit e letërnjoftimeve serbe”, ka shkruar Borrell.
“Serbët e Kosovës, si dhe të gjithë qytetarët e tjerë, do të mund të udhëtojnë lirshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duke përdorur letërnjoftimet e tyre. BE-ja sapo mori garanci nga kryeministri Kurti për këtë. Kjo është një zgjidhje evropiane. Ne i përgëzojmë të dy liderët për këtë vendim dhe udhëheqjen e tyre”, tha tutje Borrell.
Ndryshe, sot presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se Beogradi mund të pranojë që qytetarët e Kosovës të lëvizin nëpër Serbi me dokumentet e tyre të identifikimit, por me një kusht, në vendkalimet kufitare duhet të vihet një shënim që shpjegon se kjo bëhet për arsye praktike dhe nuk mund të interpretohet si njohje e pavarësisë së Kosovës.
Një ditë më parë i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar tha se palët duhet të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e deritashme.
Diplomati amerikan i cili bashkë më diplomatin evropian Lajçak qëndroi në Kosovë dhe Serbi në përpjekje për të gjetur një zgjidhje që do të shmangte tensionet në terren, tha se bisedimet janë mekanizmi nëpërmjet të cilit të dyja vendet mund të normalizojnë marrëdhëniet ndërmjet tyre dhe të hapin ardhmërinë evropiane./Telegrafi/
We have a deal.
Under the EU-facilitated Dialogue, Serbia agreed to abolish entry/exit documents for Kosovo ID holders and Kosovo agreed to not introduce them for Serbian ID holders.
(1/2)
— Josep Borrell Fontelles (@JosepBorrellF) August 27, 2022