Shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell ka thënë se Kosova duhet të pezullojë operacionet policore rreth ndërtesave të komunave në veri.
Ai ka thënë se ky është hapi i parë për shtensionimin e situatës në veri, dhe që protestuesit të qetësohen.
“BE-ja dënon ashpër dhunën në veri të Kosovës që kemi parë në ditët e fundit. Dhuna ndaj qytetarëve, mediave, forcave të rendit dhe trupave të KFOR-it është e papranueshme dhe sjell një situatë të rrezikshme”, ka thënë Borrell sot para gazetarëve në Bruksel.
Ai ka shtuar se si BE “qëndrojmë pranë NATO-s dhe KFOR-it në përmbushjen e mandatit, në interes të paqes dhe stabilitetit në Kosovë”,
Borrell tha se ka diskutuar me Kurtin dhe Vuçiqin për situatën në veri të Kosovës.
“Kam folur me kryeministrin Kurtin edhe sot në mëngjes, dhe presidentin Vuciq gjatë natës dhe kam kërkuar nga ta që urgjentisht të marrin masa për të shtensionuar situatën. Si hap i parë pres që institucionet e Kosovës t’i heqin forcat policore nga ndërtesat e komunave në veri të Kosovës, dhe protestuesit të qetësohen”, tha Borrell.
Ai, po ashtu, tha se BE-ja pret që palët të angazhohen në dialog dhe ta hapin rrugën për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve.
Borrelli ka konfirmuar se po punohet që të organizohet një takim i nivelit të lartë në dialog, derisa shtoi se “nuk mund të pranojmë një konflikt të ri dhe shpresoj që kërkesat e mia do të dëgjohen”. /Telegrafi/
]