Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski sot ka realizuar vizitë pune në komunat Rosoman dhe Prilep dhe ka inspektuar ndërtimin e projekteve infrastrukturore që janë duke u realizuar me mbështetje të Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve (MTL).
Gjatë vizitës në komunën e Prilepit me kryetarin Borçe Jovçeski ata kanë nënshkruar marrëveshje për rikonstruimin e rrugës “Lece Koteski”, një nga rrugët më të frekuentuara në komunë.
“Investimi kap vlerën mbi 48 milionë denarë, mjete të siguruara nga buxheti i Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve. Me rehabilitimin e kësaj rruge do të rritet siguria në komunikacion dhe do të mundësohet komunikim më i shpejtë me banorët e rajonit të Prilepit. Është paraparë që krahas rehabilitimit të rrugës kryesore të ndërtohet edhe një shteg i ri këmbësorësh dhe biçikletash në gjatësi prej dy kilometra”, kumtoi Ministria e Transportit dhe Lidhjeve.
Gjatë vizitës në Komunën e Rosomanit, ministri Boçvarski dhe kryetari i komunës, Stojan Nikollov kanë nënshkruar marrëveshje për rikonstruimin e rrugës “Goce Dellçev”, investim prej 15,2 milionë denarë.
Ndryshe, këto projekte, siç informojnë nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, realizohen përmes projektit “Lidhje me rrugët lokale nëpër komuna” për çka investojnë 70 milionë euro. Deri tani janë përfshirë mbi 140 rrugë në mbi 60 komuna.