Telegrafi

Bllokimi i transmetimit të seancave në Kuvend Komunal, Aliu: Komuna në terr informativ

Tash e disa muaj, Komuna e Gjilanit ka ndërprerë transmetimin e seancave të Kuvendit Komunal, gjë që sipas Lidhjes Demokratike të Kosovës, po shkakton terr informativ.

Një një shkrim publik, shefi i grupit të këshilltarëve në Gjilan nga radhët e LDK-së, Adyl Aliu, ka reaguar ndaj pagesave për mediat lokale, ndërsa në anën tjetër, sipas tij komuna vazhdon të mbajë të bllokuara transmetimin e seancave.

“Që nga muaji janar e këndej, mediat lokale janë duke u paguar me shumën e njëjtë, bile edhe më shumë se 90 euro. Disa media lokale (9 sosh), në periudhën janar-maj 2024 janë paguar mbi 10.000,00 euro, e që mesatarisht i bije rreth 240,00 euro/muaj për një media, krejt kjo në emër të informimit publik. Pra, mbi 10.000,00 euro të paguara kinse për informim publik, por duke e mbajtur në terr informativ organin më të lartë në komunë”, ka shkruar Aliu.

Tutje, Aliu i përmend edhe shkeljet të cilat po bëhen ndaj mediave lokale nga ana e kryetarit.

Ai thotë se qeverisja komunale me këtë rast po i diskriminon disa nga mediat lokale, duke i paguar kështu me shuma të ndryshme.

“Edhe me këtë rast, qeverisja komunale ka bërë diskriminim ndaj mediave duke përjashtuar disa media nga këto pagesa dhe të tjerat duke i paguar me nivele të ndryshme pagesash, sipas preferencave të dikujt që vendos me shpërnda mjetet e taksapaguesve të Gjilanit ( ka pagesa për një media deri në 1.620,00 euro dhe për një tjetër 360,00 euro për 5 muaj). Pra, një media është paguar mesatarisht 324 euro/muaj, derisa një tjetër media është paguar mesatarisht 72 euro/muaj”, ka shkruar tutje ai.

Aliu thotë se pavarësisht që kryetari ka nënshkruar marrëveshje me qëllim që seancat të jenë të disponueshme, sipas tij vazhdojnë të jenë të bllokuara dhe këtë ai e quan mashtrim. /Telegrafi/