Është mbajtur takimi i fundvitit me biznese lokale në Kamenicë, me çrast Drejtoria për Zhvillim Ekonomik dhe Diasporë u ka ndarë edhe çmime për biznese që kanë arritur suksese të veçuara në veprimtari të tyre.
Kryetari i komunës, Kadri Rahimaj në këtë takim tha se bizneset janë më meritorët për atë që qyteti gëzon në aspektin e zhvillimit ekonomik.
I pari i komunës theksoi se për dy vitet e fundit është krijuar buxhet i veçantë për mbështetje të bizneseve, duke theksuar se në këto dy vite janë ndarë mbi 200 mijë euro për pajisje që lehtësojnë procesin e prodhimit dhe shërbimit.
“Darkën e fundvitit e filluam me ndërmarrësit kamenicas. Tashmë e kemi bërë traditë për ta njohur kontributin vjetor dhe jo vetëm të bizneseve lokale, në ekonominë tonë. I siguram që komuna do vazhdojë të qëndrojë afër me asistencë profesionale, teknike e mbi të gjitha edhe me mbështetje të drejtpërdrejtë financiare”, ka thënë Kryetari Rahimaj.
Në anën tjetër Drejtoresha e Zhvillimit Ekonomik, Burbuqe Leka, tha se stafi i drejtorisë që ajo udhëheq ka qenë gjithmonë i angazhuar për të trajtuar dhe përmbushur kërkesat dhe nevojat që bizneset kanë parashtruar.
“Jemi mbledhur në këtë moment për t’iu falënderuar e vlerësuar për bashkëpunimin bashkëpunimin dhe angazhimin që kemi pasur me çdonjërin prej jush në këtë vit që po e lëmë pas. Bashkëpunimi juaj ka qenë i nevojshem për realizimin e disa prej projekteve që kemi pasur, ku me disa prej jush kemi pasur rastin të bashkëpunojmë më shumë e me disa më pak, por ju falënderojmë që keni qenë gjithmonë aktiv dhe të gatshëm për çdo aktivitet që ka qenë nevoja”, është shpehur Drejtoresha Leka. /Telegrafi/