Dollari u rrit dhe bitcoin arriti një rekord të lartë të mërkurën, ndërkohë që tregjet e aksioneve përparuan ndërsa tregtarët “vunë bast” për një fitore të Donald Trump, ndërsa filluan të shfaqen rezultatet e hershme për zgjedhjet presidenciale në SHBA.
Ndërkohë që sondazhet e kanë treguar garën për Shtëpinë e Bardhë “si shumë të ngushtë”, republikani dukej se po ecën më mirë se kundërshtarja e tij demokrate dhe zëvendëspresidentja Kamala Harris në parashikimet e hershme, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Të dy kandidatët kanë arritur fitoret e pritshme në shtete të sigurta, por indikacionet se manjati i biznesit po e kapërcente atë, nxitën të ashtuquajturën “Trump Trade”.
Dollari u ngjit 1.5 për qind në 154.33 yen, më i larti që nga korriku, ndërkohë që u rrit gjithashtu më shumë se një për qind kundrejt euros dhe më shumë se dy për qind kundrejt pesos meksikane.
Në anën tjetër, Bitcoin u ngjit pothuajse 6,000 dollarë më lart në një rekord prej 75,005,06 dollarësh, duke kaluar kulmin e tij të mëparshëm prej 73,797,98 dollarë, të shënuar në mars.
Kujtojmë se Trump u zotua gjatë fushatës për t’i bërë Shtetet e Bashkuara “kryeqytetin botëror të bitcoin dhe kriptomonedhave”. /Telegrafi/