Site icon Telegrafi

Partnerët e koalicionit e braktisin Mario Draghin

Mario Draghi ka konfirmuar sonte dorëheqjen nga posti i kryeministrit dhe tashmë do të pasojë shpërbërja e dhomave të Kuvendit.

Për Qeverinë votuan 95 senatorë, kundër 33 – dhe pjesa tjetër, nga gjithsej 321 anëtarë të Senatit, ose nuk votuan ose nuk ishin në sallë. Disa prej tyre qëndruan në sallën e kuvendit vetëm për të mos humbur kuorumin. Kështu u zhvillua mbledhja e XVIII-të e parlamentit italian.

Të mërkurën në mëngjes, në një fjalim të qetë, por të mprehtë, Draghi kërkoi ribashkimin e paktit kombëtar që e solli në Pallatin Chigi.

Ai dha dorëheqje pesë ditë më parë për shkak se një nga grupet në koalicionin qeveritar – 5 yje – refuzoi të konfirmonte besimin për Qeverinë. Sergio Mattarella, presidenti i Republikës së Italisë, refuzoi dorëheqjen dhe e ktheu Draghin, fillimisht në Senat, dhe më pas në Dhomën e Përfaqësuesve për të kërkuar votëbesimin, raporton bbc.

Sonte nuk ishin vetëm “5 Yjet” që refuzuan të votojnë, por edhe e gjithë “qendra e djathtë e qeverisë”, përkatësisht liberalët e Silvio Berlusconit, Forza Italia dhe Lidhja sovraniste e drejtuar nga Matteo Salvini.

Draghi nuk i mbetet asnjë zgjidhje tjetër veçse të shkon në zyret e presidentit në Quirinal dhe t’i konfirmojë dorëheqjen Mattarellas. Këtij të fundit nuk i mbetet gjë tjetër veçse të shpërndajë dhomat parlamentare në ditët në vijim. Zgjedhjet duhet të mbahen brenda të paktën 50 dhe më së shumti 70 ditë pas kësaj.

Qeveria e koalicionit të unitetit kombëtar të Draghit, e cila përfshin partitë e së djathtës, të majtës, qendrës dhe Lëvizjes populiste “5 Yjet”, u formua në shkurt për të ndihmuar Italinë të rimëkëmbet nga pandemia e coronavirusit.

Kryebashkiakët e qyteteve italiane, mjekë, farmacistë dhe personel tjetër mjekësor ditët e fundit i kanë bërë thirrje Mario Draghit që të qëndrojë në postin e kryeministrit dhe të mos konfirmojë vendimin për të dhënë dorëheqje para Senatit, gjë që e refuzoi presidenti italian, Sergio Mattarella. /Telegrafi/

Exit mobile version