Telegrafi

Biden, Trudeau dhe presidenti meksikan dënojnë sulmin ndaj institucioneve braziliane

Presidenti i SHBA, Joe Biden, ai meksikan Andres Manuel Lopez Obrador dhe kryeministri kanadez Justin Trudeau, dënuan sulmin ndaj institucioneve shtetërore të Brazilit, thuhet në një deklaratë të përbashkët.

“Ne qëndrojmë me Brazilin pasi mbron institucionet demokratike. Qeveritë tona mbështesin vullnetin e lirë të popullit brazilian”, thanë tre liderët që u takuan në një samit të Amerikës së Veriut në Meksikë, transmeton Telegrafi.

Dhe krerët e tre degëve të qeverisë braziliane publikuan një deklaratë të përbashkët sot, duke dënuar ato që ata i quajtën “akte terroriste” në Brasilia një ditë më parë, kur mbështetësit e ish-presidentit Jair Bolsonaro sulmuan kryeqytetin dhe pushtuan institucionet shtetërore.

“Jemi të bashkuar në marrjen e masave institucionale sipas kushteve të ligjit brazilian”, thanë ata, duke bërë thirrje për paqe dhe qetësi.

Deklarata u nënshkrua nga presidenti Luiz Inacio Lula da Silva, Presidenti në detyrë i Senatit Veneziano Vital do Rego, Kryetari i Dhomës së Ulët, Arthur Lira dhe Kryetarja e Gjykatës së Lartë, Rosa Weber. /Telegrafi/