Presidenti i SHBA-së, Joe Biden ka bërë shaka për gjendjen mendore të ish-presidentit Donald Trump gjatë një fjalimi në darkën e Klubit Gridiron, një traditë e Uashingtonit që filloi në vitet 1880.
“Një kandidat është shumë i vjetër dhe mendërisht i papërshtatshëm për të qenë president. Tjetri jam unë”, citohet të ketë thënë Biden të shtunën përpara më shumë se 650 të ftuarve, përcjell Telegrafi.
Aty ishin të ftuar edhe themeluesi i Amazon dhe pronari i Washington Post, Jeff Bezos, dhe CEO të TikTok, Shou Zi Chew, biznesi i të cilit në SHBA mund të ndalohet nga Biden.
Ekipi i fushatës së Trump nuk u përgjigj, megjithëse lideri 77-vjeçar republikan ka vënë në pikëpyetje aftësinë mendore të Biden për të qenë president.
Lideri demokrat ka shmangur kritikat e vazhdueshme se kujtesa e tij është e turbullt dhe ai duket i hutuar.
Kjo ishte hera e parë që Biden mori pjesë në darkën tradicionale gjatë presidencës së tij, dhe vjen ndërsa zgjedhjet e 2024 po afrohen.
Ai foli edhe për luftën në Ukrainë me kryeministren e Estonisë Kaja Kallas, e cila mori pjesë në darkën e së shtunës.
“Ne nuk do të përkulemi, ata [ukrainasit] nuk do të përkulen dhe unë nuk do të përkulem”, tha Biden. /Telegrafi/