Site icon Telegrafi

Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Biblioteka e Kongresit në SHBA fillojnë bashkëpunimin ndërkombëtar në shkëmbimin e materialeve

Biblioteka Kombëtare e Kosovës ka nisur një bashkëpunim të rëndësishëm me Bibliotekën e Kongresit në SHBA përmes programit të shkëmbimit ndërkombëtar, Duplicate Materials Exchange Program (DMEP).

Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se ky program do të mundësojë shkëmbimin e librave, monografive, revistave dhe materialeve të tjera akademike me fokus në shkencat shoqërore.

“Në takimin e mbajtur më 5 shkurt 2025, përfaqësues nga Biblioteka e Kongresit dhe Biblioteka Kombëtare e Kosovës, drejtoresha e përgjithshme e BKK-së, Dr.Blerina Rogova Gaxha dhe zv.drejtoresha e Departamentit të Zhvillimit të Koleksioneve Lavdie Mani, u dakorduan për fillimin e këtij bashkëpunimi, duke nisur me përzgjedhjen e materialeve të para për shkëmbim nga të dyja palët. Ky hap do të mundësojë ndërtimin e një baze të fortë për zhvillimin e mëtejshëm të programit dhe pasurimin e fondeve të të dy institucioneve”, thuhet në njoftim.

Po ashtu siç bëhet e ditur në njoftim Biblioteka e Kongresit ka shprehur një interes të veçantë për pasurimin e fondit të saj me materiale nga Kosova të cilat reflektojnë gjendjen në Kosovë, me synimin për të ndërtuar një koleksion të veçantë kushtuar vendit tonë. Kjo nismë jo vetëm që forcon lidhjet akademike mes dy institucioneve, por gjithashtu rrit njohjen ndërkombëtare të kulturës, historisë dhe zhvillimeve sociale në Kosovë.

Ndër të tjera në njoftim thuhet se ky bashkëpunim do t’u japë studiuesve dhe lexuesve ndërkombëtarë qasje më të gjerë në botimet nga Kosova, duke ndihmuar në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë intelektuale të vendit.

Exit mobile version