Në 31 vitet e kaluara në krye të Milanit, Silvio Berlusconi ka angazhuar 15 trajnerë, shumë prej të cilëve i shndërroi në legjenda.
Patroni legjendar ka ndërruar jetë në moshën 86 vjeçare duke lënë gjurmë të pashlyeshme në skenën e futbollit italian dhe evropian me 29 trofe të fituara me Rossonerët, por edhe me promovimin historik në Monzas në Serie A.
Përkundër reputacionit për diktimin publik të taktikave për skuadrat e tij, megjithatë ai u ka besuar trajnerëve që i ka angazhuar.
Arrigo Sacchi ishte angazhimi i parë i vërtetë (1987) dhe një lëvizje që do të bëhej marka e Berlusconit, duke identifikuar talentin dhe duke e promovuar në punën kryesore pa pritur.
Ai i siguroi Milanit dy Kupa Evropiane (sot Liga e Kampionëve), një Scudetto, dy Superkupa të UEFA-s, një Superkupë të Italisë dhe dy Kupa Interkontinentale (sot Kupa e Botës për Klube).
Fabio Capello e pasoi nga viti 1991 deri në vitin 1996 duke vazhduar me fitimin e trofeve duke përfshirë triumfin ndaj Barcelonës në finalen e Ligës së Kampionëve dhe tituj të Serie A.
Oscar Tabarez nuk zgjati shumë, ndërsa Alberto Zaccheroni befasoi duke fituar Scudetton në xhiron e fundit të sezonit 1998/1999.
Cesare Maldini dhe Fatih Terim kaluan para arritjes së Carlo Ancelottit në nëntor 2001 dhe ai qëndroi për tetë vite duke fituar gjithçka që mund të fitohej.
Nga të gjithë trajnerët, Ancelotti ishte më i miri që e lejonte Berlusconin të urdhëronte dhe t’i merrte meritat, por në të njëjtën kohë vazhdonte me planin e tij të lojës duke e bërë presidentin të mendonte se ishte ideja e tij.
Berlusconi ishte më pak i këndshëm me Leonardon dhe Massimiliano Allegrin duke i kritikuar publikisht se nuk i dëgjonin këshillat e tij (edhe pse ky i fundit e fitoi titullin e Serie A).
Në vitet e fundit, patroni u përpoq të risillte ditët e lavdisë duke i promovuar ish-lojtarët në trajnerë të klubit, si Clarence Seedorf, Filippo Inzaghi e Cristian Brocchi, mirëpo ata nuk u treguan të denjë për atë post.
Sinisa Mihajlovic dhe Vincenzo Montella përmbyllin listën e trajnerëve të Milanit në epokën e Berlusconit. /Telegrafi/