Site icon Telegrafi

“Bedri Hamza kryeministër”, Lladrovci: Keqbërësit dhe rivalët nuk mund të ndalojnë fitoren e PDK-së

Ramiz Lladrovci, kryetari i Komunës së Drenasit, deklaroi se Partia Demokratike e Kosovës (PDK) është gati për fitoren në zgjedhjet e 9 shkurtit, si në ato lokale, ashtu edhe nacionale.

“Fitores së PDK-së në Drenas për zgjedhje nacionale, ashtu sikur edhe për zgjedhjet lokale, normalisht i prin Kryetari saj, i cili nuk njeh humbje as nuk njeh disfata. Kjo ndoshta nuk ju pëlqen disave të cilët duan të marrin barrën që nuk mund ta bartin”, ka shkruar Lladrovci në një postim në Facebook.

Ai theksoi rëndësinë e unitetit dhe përkrahjes për Bedri Hamzën si kryeministër, duke nënvizuar sukseset e qeverisjes së mirë në Drenas.

“Nuk kemi kohë për të humbur,” tha Lladrovci, duke i inkurajuar qytetarët të bashkëpunojnë për fitoren e sigurt të PDK-së.

Ai kritikoi edhe rivalët politikë, duke e cilësuar PDK-në si forca më e fuqishme në zhvillimin e komunës dhe të shtetit.

“PDK në Drenas mbetet bastion i pathyeshëm,” u shpreh ai, duke thënë se vota për partinë e tij ka mbetur e palëkundur ndër vite, pavarësisht ndryshimeve të aktorëve opozitarë.

Ai gjithashtu përmendi se shtabi zgjedhor do të udhëhiqet nga kryetarët e degëve, dhe ftoi qytetarët pa dallim partie të jenë pjesë e kësaj fitoreje.

“Pres përkrahje të pa rezervë për ta vulosur fitoren tonë,” tha Lladrovci, duke paralajmëruar se keqbërësit dhe rivalët nuk do të mund të ndalojnë fitoren e PDK-së. /Telegrafi/

 

Exit mobile version