Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Bebe Rexha, ka publikuar së fundmi këngën e saj më të re, një bashkëpunim të fuqishëm me dy emra të njohur të muzikës botërore, Kylie Minogue dhe Tove Lo. Kënga e titulluar “My Oh My” është një hit i ri që premton të dominojë listat muzikore dhe pistat e vallëzimit këtë verë.
Kylie Minogue kishte ngacmuar adhuruesit e saj për disa javë me detaje të vogla rreth këngës së re, pa zbuluar emrat e artistëve të ftuar. Më në fund, të premten, tri vajzat publikuan klipin e këngës që përmban një ritëm të fuqishëm dhe të përgatitur për pistën e vallëzimit.
Kënga u prodhua nga Steve Mac, një emër i njohur në industrinë e muzikës, i cili ka punuar me artistë të kalibrit si Calvin Harris, Little Mix, The Saturdays, Ed Sheeran, One Direction dhe Pink.
Të tre këngëtaret marrin pjesë duke interpretuar vargje lozonjare rreth shenjave të tyre zodiakale, duke sjellë një atmosferë të freskët dhe të gjallë mbi një ritëm të pandalshëm pop.
Premiera e këngës u bë në BBC Radio, pas konfirmimit të përfshirjes së Bebe Rexha dhe Tove Lo në një video argëtuese në rrjetet sociale, ku dy këngëtaret shihen duke arritur me një ashensor për të takuar Minogue.
Ky bashkëpunim i artistes shqiptare Bebe Rexha, vjen vetëm pak kohë pasi ajo bëri një paraqitje spektakolare në festivalin “Sunny Hill 2024” më 25 korrik në Kosovë. /Telegrafi/