Mesfushori i Udineses, Jakub Jankto, ka thënë se Patrik Schick ka pasur probleme të vogla me zemrën, por mendon se ai mund të luajë.
Juventusi u tërhoq nga marrëveshja për transferimin e sulmuesit të Sampdorias, ndërsa si arsye mediat i kanë përmendur problemet kardiake të futbollistit.
Nga ana tjetër, klubi që e pronëson i ka hedhur poshtë këto njoftime duke thënë se pajtimi për tërheqje nga marrëveshja ishte i dyanshëm, mirëpo bashkëlojtari i Schick të skuadra e Republikës Çeke U-21 ka pranuar se 21-vjeçari ka pasur probleme shëndetësore.
“Nuk e di nëse mund ta them këtë, mirëpo pas ndeshjes kundër Italisë (në Kampionatin Evropian U-21), ai shkoi menjëherë që t’iu nënshtrohej ekzaminimeve mjekësore te Juve”.
“E kam ditur se ka pasur disa probleme të vogla me zemrën, por nuk besoj se janë shumë serioze”, ka deklaruar Jankto për Udinese TV. /Telegrafi/