Site icon Telegrafi

Bardhi: Votimi për mandatin e Xhaçkës në Kuvend ekzekutoi Reformën në Drejtësi

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi reagoi sot pas rrëzimit në Kuvend të pr/vendimit “Për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit të 1/10 së deputetëve për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka”.

“Me votë politike të Edi Ramës në Kuvend dje u ekzekutua përfundimisht Reforma në Drejtësi. Puçi kushtetues i Kuvendit duke injoruar autoritetin e Gjykatës Kushtetuese është i pandodhur kurrë në 34 vjet, i paprecedent dhe i denjë vetëm për regjimet diktatoriale”, deklaroi ai.

Dje, vijoi Bardhi, u varros përfundimisht edhe propaganda e Edi Ramës për komisione të posaçme për shtetin ligjor.

“Të gjithë ata që dyshuan se Edi Rama tjetër gjë thotë dhe tjetër gjë bën, morën përgjigje finale me votimin e djeshëm, ku për herë të dytë Edi Rama refuzoi të ekzekutojë vendimet e GJykatës Kushtetuese”, shtoi Bardhi.

Sipas tij, shteti personal nuk ka asnjë lidhje me shtetin ligjor.

“Një vend kandidat për në BE dhe një vend anëtar i NATO-s ka shkelmuar para çdo shqiptari dhe ndërkombëtari parimet elementare të shtetit ligjor. Nga dje Shqipëria nuk ka asnjë dallim me vendet autoritare. GPPD dënon me forcë aktin e djeshëm të Kuvendit dhe të Edi Ramës, për t’i dhënë statusin e paprekshme nga drejtësia bashkëpunëtores së tij dhe garanton se do të ndërmarrë çdo hap të nevojshëm për të mbrojtur demokracinë dhe shtetin ligjor”, u shpreh Bardhi.

Exit mobile version