Site icon Telegrafi

Bardhi: Duhet të bashkojmë bazën e PD-së

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi në një deklaratë për mediat në përfundim të mbledhjes së kryesisë së partisë bëri thirrje për bashkim të të gjithë demokratëve duke nisur nga baza.

Bardhi u shpreh se është i gatshëm të takohet me cilindo që mendon ndryshe nga ai, përfshirë edhe Sali Berishën me qëllim që të diskutohen rrugët për bashkimin e partisë.

“Ajo që ka rëndësi për PD është të ndalet gjuha përçarëse dhe që sjell ndasi, kjo gjuhë solli hartën rozë nga veriu në jug të Shqipërisë. Detyra jonë është të ofrojmë zgjidhje, po punojmë për të gjetur zgjidhje, pastaj secili bën zgjedhjen e vet. Ka pasur gjithmonë komunikim mes meje dhe kolegëve të mi, pavarësisht pozicionimit në konfliktin brenda partisë. Me kolegët që mendojnë ndryshe nga unë diskutojmë sa herë takohemi, edhe ata mendojnë se të përçarë nuk fuqizohet PD, por Rama. Nuk kam asnjë kompleks të ulem me këdo brenda PD për të gjetur zgjidhje. Jam për një zgjidhje që bashkon bazën e partisë dhe kur të jetë gati mund të zgjidhet kryetari i ri”, tha Bardhi.

Bardhi nuk pati një përgjigje kur u pyet nga gazetarët për mendimin e tij nëse ish-kryedemokrati Lulzim Basha do të kandidonte sërish për drejtim e partisë.

“Sa kohë nuk ka asnjë qëndrim lidhur me këtë çështje, as nga institucione, as nga individë, unë nuk mund të flas parathënie. Mua nuk ma ka rikonfirmuar,” u shpreh ai.

Ndërsa, i pyetur nëse Jorida Tabaku ka pranuar që të drejtojë partinë deri në mbajtjen e zgjedhjeve, Bardhi theksoi se përgjigjen për këtë duhet ta japë vetë zonja Tabaku. Megjithatë, ai solli në vëmendje, se sipas statutit të PD, Tabaku si nënkryetarja e vetme, është aktualisht funksionari më i lartë drejtues i partisë.

Gazment Bardhi përdori një retorikë bashkuese teksa apeloi që të ndalet “gjuha përçarëse që sjell ndasi mes të djathtëve.”

“Këto na çuan në hartën rozë, nga maja deri poshtë në zgjedhjet e 14 majit. Rrezik për PD, e Shqipërinë. Është detyra jonë të ofrojmë zgjidhje.”

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së bëri po ashtu të ditur se po punohet për një platformë që e forcon partinë. /Telegrafi/

Exit mobile version