Banorë në Magurë të Lipjanit prej vitesh po kërkojnë rregullimin e shtratit të lumit që kalon në mes të fshatit. Me gjendjen më të rëndë po përballen banorët në pjesën e poshtme të këtij lokaliteti pasi që mbeturinat dhe kundërmimi i rrjeteve të kanalizimit po grumbullohet aty. Banorët kanë marrë vetiniciativë dhe kanë pastruar mbeturinat në lum me qëllim që t’i largojnë edhe gjarpinjtë të cilët po ua rrezikojnë jetën.
Sipas banorëve, mosrregullimi i shtratit të lumit po ua vështirëson jetesën qytetarëve shkaku i kundërmimit dhe insekteve, raporton Telegrafi.
Ramë Bardhi, banor i këtij fshati ka thënë se disa herë kanë kërkuar nga komuna ta vazhdojnë projektin e nisur për rregullimin e shtratit, por deri tash pa sukses.
“Komuna e pati nisur projektin për ta rregulluar shtratin, por 200 metrat e fundit i kanë ndërpre për shkaqe politike sepse kjo pjese e poshtme e fshatit nuk i përkasim subjektit të LDK-së”, ka thënë Bardhi.
Edhe Abedin Hazrollaj, banor i këtij lokaliteti, ka thënë se me vetiniciativë e kanë pastruar disa herë shtratin e lumit pasi që komuna nuk u është përgjigjur kërkesave për investime. Sipas tij, gjatë pastrimit të lumit kanë hasur edhe në gjarpinj të cilët po ua rrezikojnë jetesën në këtë lokalitet.
“Ne kemi kërkuar të rregullohet shtrati i lumit siç ka ndodhur në disa lokalitete tjera, por kërkesat tona prej tre vitesh nuk janë shqyrtuar. Ndërkohë jemi obliguar me vetiniciativë t’i largojmë mbeturinat dhe gjërat tjera. Aty kemi gjetur edhe gjarpinj të mëdhenj të cilët po vazhdojnë të lëvizin afër shtëpive të banimit. Pra, pastrimin e kemi bërë vetëm se nuk po mund të bëjmë as gjumë nëpër shtëpi nga zhurma e bretkosave”, ka thënë ai.
Këtë lokalitet e kanë vizituar edhe kuvendarët nga opozita PDK-ja të cilët përveç alarmimit të kësaj gjendje, ata kanë kërkuar nga komuna me urgjencë t’i nisin investimet në këtë lokalitet.
“Është shqetësuese se si ekzekutivi i Komunës së Lipjanit po e ndan buxhetin e taksapaguesve, derisa banorët e Magurës i ka lënë në këtë gjendje pa ua rregulluar shtratin e lumit. Ne si kuvendar tash e tre vjet jemi duke e ngritur zërin rreth mungesës së këtyre investimeve, por kësaj radhe është shumë urgjente të rregullohet shtrati i lumit në Magurë, sepse banorët po rrezikohen nga gjarpinjtë por edhe nga kundërmimi i ujërave të zeza të cilat po derdhen në këtë lum dhe të gjitha ato po grumbullohen në pjesën e poshtme të këtij lokaliteti duke ua vështirësuar jetesën këtyre banorëve”, ka thënë midis të tjerash Arsim Jashari, shef i grupit të kuvendarëve nga radhët e PDK-së.
Në anën tjetër Hyra Bytyqi, zëdhënëse e Komunës së Lipjanit, nëpërmjet një përgjigje me shkrim është zotuar se së shpejti do të vazhdon rregullimi i shtratit të lumit në Magurë.
“Komuna e ka rregulluar shtratin e lumit në pjesën më të madhe të lumit, por pjesa fundore e lumit është në projeksionet e ardhshme. Përndryshe, komuna ka bërë pastrimin e mbeturinave për çdo deponi që është lajmëruar kudo në territorin e saj. Në rastin në fjalë më tepër është tendencë politike se sa fakt, ose vet improvizim nga individ të caktuar”, ka thënë ajo. /Telegrafi/