Ballkani ka shënuar fitore ndaj Dritës me rezultat 3-2 në derbin e javës së 31-të në BKT Superligën e Kosovës.
Pjesa e parë edhe pse kishte raste gola nuk solli, duke bërë që skuadrat të shkonin në pushim me rezultat të barabartë.
Me të filluar pjesa e dytë Ballkani gjeti golin e epërsisë në minutën e 50-të, kur Ermal Krasniqi bukur u fut në zonë me disa driblime, duke gjuajtur drejt portës, ndërsa topi i devijua nga Ilir Blakqori, që shënoi në portën e tij për 1-0.
Vetëm katër minuta më pas sërish një gabim në mbrojtjen e gjilanasve, solli gol.
Nazmi Gripshi përfitoi nga pasimi i gabuar i portierit Faton Maloku, duke quar topin në rrjetë për 2-0.
Por Drita nuk u pajtua me këtë rezultat dhe filloi sulmet drejt portës së Stivi Frashërit.
Ndeshja u hap në minutën e 78-të, kur Almir Kryeziu shënoi gol të bukur për 2-1, pas disa kalimeve.
Në minutën e 89-të, Albin Tahiri barazoi shifrat duke shënuar për 2-2, pas një goditje të bukur me kokë.
Kur pritej që ndeshja të mbyllej baras, në skenë doli Ermal Krasniqi që shënoi për 3-2.
Me këtë fitore ka 69 pikë, 14 më shumë se Drita dhe Gjilani, dhe vetëm një barazim në pesë ndeshjet e fundit e shpall kampion. /Telegrafi/