Site icon Telegrafi

Ballkani kërkon një tjetër sukses ndaj Sivassporit, kësaj radhe me ndihmën e 13 mijë tifozëve

Ballkani do të luaj sonte ndeshjen e katërt në grupet e Ligës së Konferencës.

Suharekasit me fillim nga ora 21:00 në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ do të përballen me skuadrën turke Sivasspor.

Do të jetë ky dueli i kthimit mes dy ekipeve, pasi një javë më parë Ballkani arriti një fitore të madhe 3-4 nga udhëtimi në Turqi.

Dy skuadrat pas tre ndeshjeve kanë nga katër pikë dhe në fakt në Grupin G ku ndodhen kanë gjasa të barabarta për të kaluar tutje pasi me pikë të njëjta janë edhe Cluj e Slavia e Pragës.

Për dallim nga ndeshja në Turqi, në këtë duel Ballkani do të ketë përkrahjen e 13 mijë tifozëve pasi të gjitha biletat për këtë takim janë shitur tani dhe në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ pritet një atmosferë e zjarrtë.

Vendasit kërkojnë një tjetër mrekulli evropiane dhe në rast të fitores do të bënin një hap gjigant për të kaluar grupin.

Por edhe mysafirët kërkojnë revanshin dhe synojnë të rikthehen në Turqi të pamposhtur.

Dueli tjetër në Grupin G zhvillohet në Rumani mes Cluj dhe Slavia Pragë me fillim nga ora 18:45. /Telegrafi/

 


Exit mobile version