Sot në Mitrovicë, si pasojë e djegies së një trafoje, mbi 100 minatorë të Trepçës kanë mbetur të ngujuar nëpër horizontet e kësaj miniere.
“Ekipet Emergjente, drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Nehat Bahtiri, së bashku me zjarrfikësit kanë intervenuar menjëherë në vendin e ngjarjes, duke ndalur zjarrin tek trafoja e cila ndodhet në fshatin Shupkovc. Gjithashtu ata kanë vizituar edhe minierën e Trepçës duke u dalë në ndihmë minatorëve të cilët kanë qëndruar të ngujuar në horizonte si pasojë e shkyçjes së energjisë elektrike”, thuhet në njoftimin për media.
Edhe kryetari i komunës, Agim Bahtiri, ka vizituar minatorët e minierës së Trepçës, duke thënë se problemi i shkaktuar me djegien e trafos elektrike në Shupkovc tashmë është tejkaluar, sepse është bërë kyçja e rrymës përmes një mënyre alternative.
“ Nuk ka asnjë shqetësim për minatorët sepse të gjithë kanë dalë shëndosh e mirë, faleminderit Zotit, intervenimit të ekipeve emergjente si dhe KEDS-it për këtë gjë dhe shpresojmë se kjo të mos përsëritet më”, tha kryetari Bahtiri. /Telegrafi/