Site icon Telegrafi

Avokatët e shoferit që aksidentoi me veturë burrin e Shkurte Fejzës: Aksidenti ndodhi pa qëllim, klientit tonë iu konfiskua telefoni

Shkurte Fejza dhe Hajrush Behluli/ Avokatët Gent dhe Blend Gjini që përfaqësojnë shoferin që aksidentoi Hajrush Behlulin

Dy avokatët Gent dhe Blend Gjini, që përfaqësojnë shoferin që ka aksidentuar Hajrush Behlulin, kanë bërë një deklaratë për Telegrafin duke thënë se konfiskimi i telefonit celular të klientit të tyre është bërë pa bazë ligjore dhe kjo është një shkelje e procedurave penale.

Ata shprehin se do të ngritin ankesë për këtë veprim dhe do të kërkojnë sqarim për rastin.

Sipas tyre, vepra penale për të cilën akuzohet klienti i tyre është shkaktimi i aksidentit në komunikacion dhe nuk ka lidhje me përmbajtjen e telefonit.

Ata gjithashtu shtojnë se ky është një rast i paprecedent dhe as ligji as praktika gjyqësore nuk e parashikojnë një situatë të tillë.

“Me të marrur çështjen penale ne jemi befasuar me një situatë që konsiderojmë se shkel dispozitat procedurale penale, në rastin e trajtimit të kësaj çështjeje, kur të mbrojturit tonë i është konfiskuar telefoni mobil e që në anën tjetër vepra penale bën fjalë per shkaktim te aksidentit në komunikacion. T’i merret telefoni dhe t’i konfiskohet përkohësisht, kjo për neve mbrojtjen është e papranuar dhe është joligjore”, thanë avokatët në një përgjigje me shkrim.

Lexo po ashtu Vetura godet bashkëshortin e Shkurte Fejzës

“Në procedurat e mëtejme presim që këtë çështje ta ngrisim ne formë të ankesës për të vlerësuar se a është vepruar drejt dhe a ka pasur të drejtë të i merret telefoni celuluar shkaktuesit të aksidentit dhe të kuptohet se çka ka të bëjë çështja e aksidentit me telefon. Pra, ky është rast i paprecedent dhe kur më parë në çështjet penale që kemi përfaqësuar raste të aksidenteve në trafik ligji dhe praktika gjyqësore nuk e parasheh një mundësi të tillë”, thuhet tutje në përgjigjen e avokatëve.

Avokatët thonë se klienti i tyre nuk kishte kurrfarë motivi për shkaktimin e këtij aksidenti.

Gent dhe Blend Gjini mendojnë se disa  analistë aluduan pa asnjë argument apo fakt se gjoja aksidenti ishte i qëllimshëm.

Lexo po ashtu U godit derisa ishte duke kaluar rrugën, policia jep detaje nga rasti i bashkëshortit të Shkurte Fejzës

“Pasi kjo çështje është përfolur në media dhe është trajtuar si temë nga me të ndryshmet duke e ndërlidhur rastin e një fjalimi te hoxhës Shefqet Krasniqi për kengëtaren Shkurte Fejza, në shprehim shqetësimet nga disa analistë që kanë ndërlidhur dhe shfrytëzuar ngjarjen e aksidentit si diçka e qëllimshme. Pra, kjo për neve avokatëve është shqetesim në vete dhe kjo aspak nuk qëndron sepse ngjarja si e tillë nga shkakutuesi i aksidentit ka qenë e paqëllimshme dhe pa kurfarë motivi dhe thjeshtë ka qenë një pakujdesi si ngjarje të zakonshme që ndodhin sot në komunkiacion. Andaj ne shprehim shqetësimet për menyrën e trajtimit të kesaj ngjarje nga disa analistë vetëm e vetëm për ta vendosur qendrën e vëmendjes dhe të luajnë rolin e “hetuesit” pa qenë të thirrur dhe pa pasur asnjë argument apo fakt lëshojnë këso deklarata të pamatura”, thuhet në përgjigjen e avokatëve.

Avokatët thonë se “do të shikojmë në procedurat e mëtejme penale për zbardhjen e rastit, për të kuptuar se në çfarë përmasash mund të jetë fajtor i mbrojturi ynë”.

Ata thonë se do të mësojnë faktin “se a ka qenë i pakujdessëm këmbësori kur ka dalur në rrugë”, pasi shtojnë se “aty nuk ka pasur vendkalim për këmbësorë apo zebra”./Telegrafi/

Exit mobile version