Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka asgjësuar 64 kilogramë mish në lokalin ku dyshohet se u helmuan mbi 100 qytetarë në Malishevë.
Lamir Thaçi, zëdhënës i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë tha për Telegrafin se janë duke vazhduar inspektimet lidhur me rastin.
“Janë marrë 5 mostra të produkteve ushqimore: 2 mostra nga sosat, 1 mostër nga doneri i përpunuar dhe dy mostra nga mishi i bluar pleskavicë qofte të papërpunuara Dhe janë marrë 26 strisho nga hapësirat e punës mjetet e punës dhe duart e personelit. Të gjitha mostrat janë marrë sipas procedurës standarde operative në bashkëpunim me IKSHP. Të gjitha mostrat janë nisur për laboratorin e IKSHP Prishtinë ku edhe do të testohen në disa parametra. Pas përfundimit të mostrimit produktet të cilat nuk kanë poseduar dokumentacion janë asgjësuar sasia totale 64 kg, kryesisht mish, produkte mishi. Lokali nga mbrëmë është mbyllur përkohësisht deri në një vendim tjetër të organeve kompetente”, theksoi ai.
Thaçi pohoi se sot gjatë ditës kanë vazhduar me procedurat gjurmuese mbledhje të fakteve bashkë me prokurorinë ku janë marrë dokumente dhe mjete pune dhe produkte të cilat nevojitën për shërbim të ushqimit.
“Jemi duke monitoruar situatën mbi gjendjen e shëndetësore të pacienteve në bashkëpunim me IKSHP. Janë duke u kryer anketat epidemiologjike dhe ne vazhdimësi merren mostra të koprokultures dhe vjeljeve për analiza në institut. Me qëllim të identifikimit të shkaktarit që ka çuar deri te helmimi. Nga informatat e fundit janë përafërsisht 100 pacientë të cilët kanë kërkuar ndihmë mjekësorë në QKMF Malishevë dhe Spitalin Rajonal në Prizren dhe QKUK. Për gjendjen shëndetësore të pacientëve merrni përgjigjet nga institucionet shëndetësore”, deklaroi ai.
Zëdhënësi i AUV-it tha se në bazë të informatave që do t’i marrin në vazhdimësi nga IKSHP, do të ndërmarrim veprime të zgjeruara mbi secilin rast që paraqitet.
“Inspektorët janë në gjendje gatishmërie për të ju përgjigjur secilës situatë. Ministri bashkë me Drejtorin menjëherë kanë urdhëruara që të nisin inspektimet me frekuencë të shtuar mbi të gjitha lokalet e gastronomisë që gatuajnë, shërbejnë ushqime të shpejta”, shtoi mes tjerash ai.
Ndryshe, nga Klinika Infektive e QKUK-së kanë njoftuar se janë 12 pacientë duke u trajtuar dhe se gjendja e tyre është stabile. /Telegrafi/