Kryeministri i Australisë, Scott Morrison ka urdhëruar thirrjen e rreth 3 mijë rezervistëve për t’u përballur me zjarret, të cilat thuhet se po rrezikojnë popullsinë në pjesën qendrore dhe lindore të vendit, përfshirë edhe zonat në periferi të Sidnejit.
Autoritetet po ashtu thanë se një park nacional është shkatërruar pothuajse i gjithi dhe se dy njerëz u vranë nga zjarret.
“Ne po përballemi edhe me një 24-orësh tjetër shumë të vështirë”, tha kryeministri Morrison gjatë një konference për media.
Deri më tani, si pasojë e zjarreve janë vrarë 23 persona dhe janë shkatërruar mbi 1,200 shtëpi në dy shtete në juglindje të vendit. Zjarret nisën shtatorin e vitit të kaluar dhe kjo situatë është shndërruar në krizë kombëtare, teksa po përcillet edhe me debate të ashpra lidhur me ndryshimet klimatike.
Autoritetet australiane thanë sot se më shumë se 1,000 kilometra katrorë janë djegur rreth parkut nacional në Ishullin Kangur, që gjendet në jugperëndim të Adelaide.
Policia tha se dy personat që humbën jetën në qytetin Parndana, gjendeshin në veturat e tyre, kur makinat morën flakë.
Parku nacional që është shkatërruar pothuajse plotësisht ishte shtëpi e kangurëve, koalave dhe iriqëve.
Qeveria australiane në Nju South Uells më 3 janar ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në kohëzgjatje prej shtatë ditësh, që u jep autoriteteve fuqi që të evakuojnë me forcë popullatën, nëse rritet rreziku nga zjarret. /Telegrafi/