Site icon Telegrafi

ASK: Papunësia në Kosovë 32.9%

Shkalla e papunësisë në Kosovë ka arritur në 32.9 për qind, ndërsa shkalla e punësimit 25.2 për qind. Papunësia më e theksuar është tek femrat me 36.6 për qind, krahasuar me meshkujt, 31.8 për qind.

Këto shifra paraqiten nga Anketa e Fuqisë Punëtore (AFP) për vitin 2015, publikuar sot nga Agjencia e Statistikave të Kosovës ASK.

“Sipas rezultateve të kësaj ankete del se dy të tretat e popullsisë në Kosovë janë popullsi në moshë pune, ku në popullsinë e moshës së punës përfshihen moshat 15-64 vjeçare. Në kuadër të popullsisë me moshë të punës, 37.6 për qind janë fuqi aktive. Shkalla më e theksuar e papunësisë është te grupmoshat 15-24 vjeçare me 57.7 për qind, ndërsa shkalla më e lartë e punësimit është te grupmoshat 35-44 vjeçare me 36.2 për qind”, thekson ASK-ja.

Sektorët ekonomikë, që prijnë me punësim, vazhdojnë të jenë: prodhimi me 14.7 për qind, tregtia me 14.4 për qind, arsimi me 12.1 për qind dhe ndërtimtaria me 9.5 për qind. Ndërsa, sektorët e tjerë marrin pjesë me përqindje më të vogël në punësim. /Telegrafi/

Exit mobile version