Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj dekoroi sot me titullin “Naim Frashëri” artisten e mirënjohur Rita Ora.
Artistja me famë botërore u dekorua me motivacionin “Në vlerësim të kontributit të dhënë në lartësimin e vlerave artistike dhe njerëzore përmes artit. Me mirënjohje për aktivitetin dhe rolin e saj si ambasadore në çështje me ndjeshmëri të lartë kombëtare dhe globale”, thuhet në njoftimin për shtyp të Presidencës, raporton Telegrafi Shqipëri.
Në ceremoninë e dekorimit ishin të pranishëm familjarë dhe miq të artistes dhe përfaqësuesve diplomatik.
Në fjalën tij, Presidenti Begaj u shpreh i sigurtë se ky nderim sot mbart vlerësimin e çdo artdashësi në Shqipëri, Kosovë dhe kudo në botë.
“Janë miliona njerëz që mendojnë se ti je shembulli më i qartë se kur talenti dhe dimensioni njerëzor ndërthuren së bashku, krijojnë vlera të jashtëzakonshme që frymëzojnë globalisht”, tha ai.
“Më lejo të shpreh konsideratën time për të gjithë përkushtimin tënd për artin dhe kulturën. Njëkohësisht, gjej rastin të inkurajoj që të sjellësh për botën, por edhe për kombin tonë shembullin se si arti, vendos ura komunikimi në të gjitha dimensionet, bashkon njerëzit dhe shëron zemrat”, u shpreh Presidenti.
“Dhuntia jote, një zë i mrekullueshëm, së bashku me shumë talente te tjera që mbart, të kanë shndërruar në një njeri që ka rrëmbyer zemrat e miliona artdashësve”, theksoi Begaj.
“Me krenari, të gjithë kemi parë se si zëri yt jo vetëm e ka pasuruar fondin e muzikës botërore, por është një zë i fuqishëm edhe në shumë kauza sociale e kulturore, të cilat ndihmojnë për ta bërë botën një vend më të mirë për të gjithë. Shqipëria dhe Britani e Madhe kanë një histori të gjatë bashkëpunimi. Ne festuam 100 vjetorin e marrëdhënieve tona. Java e kulturës britanike që ne festojmë, tregon se jo vetëm nëpërmjet kulturës, por edhe përmes biznesit, ekonomisë dhe politikës, lidhja jonë do të jetë e fortë për shumë vite të tjera në vijim”, u shpreh Begaj.
“Uroj që edhe në të ardhmen ta sfidosh veten duke u nxitur nga kjo ambicie artistike e fortë dhe duke plotësuar ëndrrat e tua, ta bësh mbarë botën të ëndërrojë. Së fundi, me lejo të them se, nëse për botën je një artiste e madhe, për ne je gjithnjë një burim krenarie!”, përfundoi Begaj.
Këngëtarja shqiptare me famë botërore ka mbërritur ditën e djeshme (e diel), në Tiranë.
Ajo pritet të mbajë një koncert gjigant në sheshin “Skënderbej” të martën. /Telegrafi/