Këshilli i Amerikës së Veriut për Efiçencë (NACFE) kreu kërkime mbi efikasitetin e kamionëve me emetim zero.
Organizata ka instaluar pajisje për gjurmimin e distancës në kamionët elektrikë dhe gjatë 18 ditëve ka monitoruar sa kilometra kanë udhëtuar, sa shpesh kanë karikuar bateritë, shpejtësinë me të cilën kanë vozitur e të ngjashme, transmeton Telegrafi.
Ndër të tjera, në hulumtim u përfshinë edhe kamionët elektrikë të Tesla-s, dhe ishte një nga modelet Tesla Semi që arriti rezultatin më të mirë për sa i përket numrit të kilometrave të përshkuara në një ditë – në 24 orë, duke përshkuar 1721 kilometra.
Gjatë këtij udhëtimi, kamioni u ndal në pikën e mbushjes tre herë, dhe bëri vetëm një dërgesë. Filloi udhëtimin e tij pas mesnate, me një bateri të ngarkuar 95 për qind. Përpara ndalesës së parë të mbushjes, që ishte pak para orës shtatë të mëngjesit, kamioni kishte bërë gati 600 km.
Karikimi zgjati rreth një orë, e cila ishte e mjaftueshme për të rritur ngarkesën e baterisë nga 9 për qind në pothuajse 50 për qind.
Pas kësaj, kamioni përshkoi 266 km të tjera, më pas u ndal në një stacion tjetër karikimi, ku kaloi një orë e gjysmë për të ngarkuar baterinë në 88 për qind.
Pasoi një tjetër udhëtim i gjatë prej 571 km. Ngarkesa e baterisë ra në 18 për qind, kështu që shoferi u mbushi në pak më shumë se 50 për qind përpara fazës së fundit prej 268 km.
Kamioni mbërriti në destinacionin e tij pak para mesnatës dhe kishte ende 15 për qind të kapacitetit të baterisë.
Shpejtësia mesatare e drejtimit të kamionit atë ditë ishte më shumë se 80 km/h dhe Tesla Semi kalonte më shumë se 80 për qind të kohës në lëvizje. Rreth 11 për qind të rasteve ishte duke u karikuar, ndërsa 17 për qind të rasteve ishte joaktive. /Telegrafi/