Site icon Telegrafi

Arrestohet ngasësi i veturës që aksidentoi për vdekje 19-vjeçarin në Drenas

Është arrestuar ngasësi i automjetit i cili ka goditur për vdekje një 19-vjeçar në Arllat të Drenasit.

Policia njofton se aksidenti ka ndodhur një ditë më parë, ndërsa i dyshuari është arrestuar këtë të mërkurë.

Lexo po ashtu Vdes i riu që u aksidentua të martën mbrëma në Drenas

“Sot (15.02.2023) rreth orës 05:40 e kemi pranuar informatën nga QKUK, se ka ndërruar jetë personi, E. B. mashkull, 19 vjeç. Bëhet fjalë për këmbësorin cili u aksidentua dje në Arllat”, thuhet në komunikatën për media.

“Lidhur me rastin nga Njësiti i hetimeve të Trafikut Rajonal të Prishtinës, është identifikuar ngasësi i automjetit, që ka qenë i përfshirë në aksident”.

I dyshuari pas intervistimi bëhet e ditur se është dërguar në mbajtje.

“Menjëherë nga hetuesit është siguruar prezenca e personit të dyshuar, i cili pas intervistimit me vendim të prokurorit të shtetit është dërguar në mbajtje”, përfundon njoftimi.

Ndërsa, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë për Telegrafin kanë bërë të ditur se i njëjti dyshohet për veprën penale “Rrezikim i trafikut publik”.

“Lidhur me këtë rast, ju njoftojmë se me urdhër të Prokurorit të Shtetit është ndaluar personi i dyshuar, për shkak të veprës penale ‘Rrezikimi i trafikut publik’ (me fatalitet), i cili është dërguar në mbajtje në kohëzgjatje prej 48 orësh, derisa trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML, për t’iu nënshtruar obduksionit”, ka thënë zëdhënësja e kësaj prokurorie, Laureta Ulaj.

Ajo tutje ka bërë të ditur se Prokuroria në koordinim me Policinë janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore lidhur me këtë rast. /Telegrafi/

Exit mobile version