Site icon Telegrafi

Arrestohen tre persona për vjedhje, posedim të narkotikëve dhe falsifikim të parasë në Ferizaj

Foto: Ilustrim

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar tre persona në Ferizaj, të dyshuar për vjedhje, posedim të narkotikëve dhe falsifikim të parasë në Ferizaj.

Rasti ka ndodhur mëngjesin e sotëm rreth orës 01:55.

“Sot, rreth orës 01:55 të mëngjesit, policia e stacionit në Ferizaj ka pranuar një informacion se në një shtëpi banimi dhe në një garazhë në rrugën ‘Riza Goga’në Ferizaj ishte një vjedhje në proces”, thuhet në njoftim.

Më tej, në njoftim bëhet e ditur se policia e rendit e më pas edhe policët hetues të stacionit në Ferizaj i kanë marrë veprimet e nevojshme dhe janë vënë në ndjekje të personave të cilët kishin kryer vjedhjen dhe ishin larguar.

“Pak metra më larg vendit të ngjarjes policia ka arritur që t’i arrestojë tre të dyshuarit: M.E (M/K) i moshës 21 vjeçar, S.A (M/K) i moshës 17 vjeçar dhe E.S (M/K) i moshës 16 vjeçar, ndërsa si prova materiale janë gjetur: një pako me kabllo elektrike, tri palë mbathje ( atlete), ndërsa tek i dyshuari madhor M.E janë gjetur: një qese me substancë të narkotikëve dhe para të gatshme 500 euro të cilat dyshohen se janë të falsifikuara”, thuhet në njoftim.

Tutje, në komunikatë theksohet se të dyshuarit janë shoqëruar në stacionin e policisë në Ferizaj dhe pas intervistimit të tyre, me vendim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj janë ndaluar në mbajtje, për procedura të mëtejme hetimore,ndërsa rasti është cilësuar ‘’ Vjedhje, posedim i narkotikëve dhe falsifikim i parave’’. /Telegrafi/

Exit mobile version