Telegrafi

I arratisuri Faton Hajrizi shfaqet sërish në TikTok, ka një mesazh për ministrin Sveçla

I arratisuri nga burgu i Smrekonicës, Faton Hajrizi po vazhdon të shfaqet në rrjetin social TikTok.

Hajrizi së fundi ka hyrë live në këtë platformë, ku ka rrëfyer edhe një herë për vrasjen e ushtarit rus në vitin 2000, transmeton Telegrafi.

“Më 27 janar në vitin 2000, në sheshin Adem Jashari në Skenderaj, ku kanë qenë mbi 200 persona, e kam kryer vrasjen e ushtarit rus me kallashin e tij,”, thotë ai.

Tutje, ai ka pohuar se vrasja nuk ka qenë e lehtë të kryhet në mes të ditës.

Hajrizi më tej ka thënë se ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla nuk guxon ta arreston atë, por që angazhon Njësitin Special.

“Ti vet edhe 100 klone nuk mundesh mem kap mu, nuk guxon me mu afru mu, ky është mesazhi që ja jepi Xhelal Sveçlës”, pohon mes tjerash ai.

Lexo po ashtu Iku për të nëntën herë nga burgu, SHKK: Faton Hajrizi ka mbajtur 17 vite burgim, i kanë mbetur edhe shtatë vite tjera

Ndryshe, për të nëntën herë, i burgosuri Faton Hajrizi, ka arritur të arratiset nga burgu, i njëjti tashmë është shpallur në kërkim nga ana e policisë.

Hajrizi në moshën 15 vjeçare, në vitin 2000 kishte vrarë një ushtar rus, sipas tij, vrasjen e ka kryer pasi ushtari rus kishte sharë popullin shqiptar, transmeton Telegrafi.

Lidhur me largimin e tij, Shërbimi Korrektues i Kosovës ka bërë disa sqarime, duke treguar se ai ishe larguar edhe disa herë nga institucionet korrektuese.

Në komunikatë theksohet se i dënuari F.H deri më tani ka mbajtur 17 vite e 5 muaj të dënimit, ndërsa kishte mbetje të dënimit prej 7 vite e 6 muaj.

“Ai ka shfrytëzuar disa herë të drejtën e benificionit të vikendit në shtëpi, hera e fundit e kthimit nga vikendi ishte më 03.07.2024. Po ashtu, ai kishte parashtruar kërkesën për punësim jashtë institucionit korrektues. Largimi i tij ka ndodhur nga Qendra Korrektuese Smrekonicë, institucion ky i tipit të hapur dhe me elemente të ulëta të sigurisë fizike dhe materiale, ku sjellja e personave të dënuar bazohet në vetëdisiplinën dhe përgjegjësinë personale”, vijon njoftimi.

Rasti ka ndodhur më 06.07.2024, ora 01:06 pas mesnate., ndërsa, zyrtarët korrektues janë pezulluar përkohësisht deri në përfundimin e hetimeve, pasi dyshohet se nuk e kanë vërejtur në kohë largimin e të dënuarit përmes monitorimit të kamerave.

Lidhur me këtë rast, Inspektorati i Ministrisë së Drejtësisë dhe Shërbimi Korrektues janë duke zhvilluar procedurat hetimore, dhe posa të përfundojë procesi, do të njoftoheni me të gjeturat. /Telegrafi/