Nga: Charles Baudelaire
Përktheu: Aurel Plasari
Veç një stuhi të zymtë e pata unë rininë,
Aty-këtu përshkuar prej diejsh gjithë shkëlqim;
Rrebeshe e bubullima më patën bërë kërdinë
Sa s’lanë një frutë të kuqe në mbarë kopshtin tim.
Te vjeshta e ideve ia mbërrita – dhe tani
S’më mbetet veç të rrok lopatë dhe grabujë
Që dheun e vithisur ta mbledh unë përsëri
Ku gropat qenë çelur si varre mbushur ujë.
Por vallë te ky truall i larë e bërë zhur,
Atë ushqim mistik që i rrit e i shkëlqen
Do e gjejnë lulet e reja, siç ëndërroj dikur?
Kështu ha Koha jetën – oh dhimbje që s’rrëfehet! –
Dhe Armiku ynë i fshehtë që zemrën na e bren
Prej gjakut që ne humbim forcohet e ushqehet.
__________