Nga: Charles Spencer / The Daily Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com
Francis Walsinghami e krijoi një rrjet sekret, si mjet për ta ndaluar vrasjen e monarkes së tij, Elizabeth I. Vendosi deri në 53 spiunë në Angli dhe 18 agjentë jashtë shtetit, metodat e të cilëve – nga fundi i shekullit XVI – vazhdojnë të mbeten në përdorim, në mbarë botën sot: bartja e mesazheve pa takime, kodet dhe agjentët e dyfishtë dhe të trefishtë, shantazhi, falsifikimi dhe tortura. Walsinghami i përdori gjithashtu ekspertët të cilët mund t’i hapnin dhe rivulosnin letrat, pa u vënë re kjo, si dhe dekoduesit.
Walsinghami ishte i pamëshirshëm. Me zbulimin e Komplotit të Babingtonit më 1586 – i cili tregoi se Mary, Mbretëresha e Skocisë e miratoi vrasjen e Mbretëreshës Elizabeth, në mënyrë që ajo të mund ta zëvendësonte atë në fron – Walsinghami u zhgënjye nga refuzimi i monarkes së tij për ta ekzekutuar kushërirën e saj Mary. Pra, shpiku histori të frikshme të cilat përfundimisht e bindin mbretëreshën Elizabeth I t’ia priste kokën kushërirës.
Walsinghami është hero i pakënduar i humbjes së Armadës spanjolle. E kishte një spiun në Romë i cili, më 1587, konfirmoi se Filipi II i Spanjës e planifikoi pushtimin e Anglisë nga deti. Inteligjenca e Walsinghamit bëri që Francis Drake ta sulmonte Kadizin, duke fundosur 37 anije, gjë që e vonoi Armadën për një vit vendimtar. Kjo i dha kohë Walsinghamit për ta vendosur një spiun në shtëpinë e Dukës së Santa Cruzit, admiralit spanjoll, dhe për të ndihmuar në rritjen e milicisë së Anglisë. Ndërkohë, i ushqeu spanjollët me informacione të rreme për portet dhe baticat e Anglisë. Filipi II e përshëndeti vdekjen e Walsinghamit me fjalët: “Lajm i mirë për spanjollët” – një epitet i shkëlqyer nga armiku, më të mirin që mund ta shpresonte një spiun.
Shërbimi Sekret i Shteteve të Bashkuara [USSS] u formua nga Abraham Lincolni për ta trajtuar krimin financiar. Me kartëmonedhat dhe monedhat që prodhoheshin në çdo shtet nga bankat e veçanta, Lincolni u këshillua se një e treta e parave në qarkullim, gjatë presidencës së tij, ishin të falsifikuara. Në vitin e parë, shërbimi mbylli 200 fabrika të falsifikimit. Duke pasur parasysh që një degë e shërbimit u zhvillua në truprojat e presidentëve amerikanë, është ironike që Abraham Lincolni ra dakord për themelimin e tij më 14 prill 1865 – të njëjtën ditë në të cilën ai u vra.
Gjatë 36 viteve të ardhshme, dy presidentë të tjerë – James A Garfield dhe William McKinley – u vranë gjithashtu në detyrë. Pasardhësi i McKinleyt, Theodore Roosevelti, e kundërshtoi imponimin e agjentëve si mbrojtës të tij. Presidentit nevrik – i mbiquajtur “Luani” – i pëlqente të dilte nga Shtëpia e Bardhë për të ecur dhe për të kalëruar në park.
Por, rreziqet u rritën. Nga viti 1917, kërcënimet ndaj presidentit u bënë krim dhe mbrojtja u shtri në Familjen e Parë. Margaret, fëmija i vetëm i presidentit Harry S Truman, shkroi për marrëdhëniet midis familjes së saj dhe agjentëve që i përcillnin, si një përvojë “shpesh e tensionuar, por kurrë armiqësore”.
Sot ekzistojnë dy krahë të shërbimit sekret. Divizioni i Uniformave mbron Shtëpinë e Bardhë, rezidencën e zëvendëspresidentit dhe 170 ambasada të huaja. Divizioni i Agjentit Special mbron presidentin, zëvendëspresidentin dhe krerët vizitorë të shteteve – por, gjithashtu trajton falsifikimin dhe krimet e tjera financiare, siç synonte Abraham Lincolni në ditën e tij të fundit në jetë. /Telegrafi/