Anëtarët e Komisionit parlamentar hetimor për menaxhimin e marrëdhënies së punës të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës kanë dorëzuar kërkesë për hetim në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, ka thënë se kanë dorëzuar dosje në Prokurorinë Speciale për të zbardhur të vërtetën se çfarë ka ndodhur me procesin e zgjedhjes së stafit nëpër ambasada.
Ajo tha se pozita i ka penguar edhe në formimin e listës së ekspertëve përmes së cilës kanë dashur të zbardhin të vërtetën në MPJD dhe për këtë nuk kanë arritur t’i ftojnë dëshmitarët.
“Për shkak të pengesave që i kemi pasur nga mazhornaca ne sot i kemi dorëzuar dosjen në Prokurorinë Speciale”, tha ajo.
Ndërkaq, Ariana Musliu Shoshi nga Partia Demokratike tha se shpreson që meritokracia do të kthehet në MPJD.
“Shpresojmë dhe jemi të bindur se e vërteta, meritokracia, dinjitet do të kthehet në Ministri të Punëve të Jashtme dhe kemi besim se Prokuroria Speciale do t’i hetojë me urgjencë dhe e vërteta do të del në shesh”, tha ajo.