Site icon Telegrafi

Ancelotti barazoi rekordin e madh të Fergusonit në Ligën e Kampionëve

Carlo Ancelotti e ka dëshmuar veten një ekspert në garën e Ligës së Kampionëve dhe ka barazuar legjendën e Manchester Unitedit, Sir Alex Ferguson, në përvojën e tyre në garën elitare të klubeve evropiane.

Trajneri 63-vjeçar italian ka ngritur trofeun më të madh të futbollit evropian katër herë më parë në karrierën e tij, duke qenë i vetmi trajner që e ka bërë këtë – me Milanin në vitin 2003 dhe 2007 dhe Real Madridin në vitet 2014 dhe 2022.

Ancelotti gjithashtu vendosi një rekord të jashtëzakonshëm në futbollin evropian sezonin e kaluar pasi udhëhoqi Real Madridin drejt titullit të ligës spanjolle, duke u bërë trajneri i vetëm që fitoi të gjitha pesë ligat më të mira të Evropës.

Megjithatë, trajneri italian po vazhdon të ‘thyej’ rekorde apo ta vendos emrin e tij në shumë rekorde evropiane dhe një të tillë e bëri mbrëmë (e mërkurë) në ndeshjen ndaj Manchester Cityt.

Sipas Opta Jose, ndeshja e parë gjysmëfinale e Real Madridit në Ligën e Kampionëve kundër Cityt është ndeshja e 190-të e Ancelottit si trajner në këtë garë, duke barazuar Ferguson si trajnerin me më shumë ndeshje në garën elitare të klubeve evropiane.

Ai do të bëhet rekordmeni i vetëm në ndeshjen e dytë të kësaj gare, kur të zhvillohet në Etihad.

Në 189 ndeshjet e tij të mëparshme në Ligën e Kampionëve, trajneri italian ka mbikëqyrur 108 fitore, 40 barazime dhe 41 humbje. /Telegrafi/

Exit mobile version