Zidane: Neymari dhe Ronaldo mund të luajnë bashkë
Zinedine Zidane nuk dyshon se Neymari dhe Cristiano Ronaldo mund të luajnë në të njëjtën skuadër, mirëpo ka refuzuar të pranojë nëse Real Madridi do t'i kërkojë shërbimet e brazilianit.
26-vjeçari u largua nga Barcelona në verën e kaluar duke nënshkruar për Paris Saint-Germainit për 222 milionë euro, mirëpo është duke u spekuluar se nuk do të qëndrojë në Ligue 1.
Në javët e fundit ka pasur thashetheme të vazhdueshme se ai do të kthehet në La Liga, por kësaj radhe te Los Blancos - rivalët e Blaugranëve.
Mundo Deportivo ka raportuar se lojtari tashmë i ka njoftuar bashkëlojtarët te PSG se do të largohet nga Parc de Princes në fund të këtij sezoni, ndërsa trajneri i Realit është pyetur në lidhje me brazilianin.
"Aktualisht mund t'ju flas vetëm për shqetësimet që i kam për ndeshjet në vijim. Pas finales (të Ligës së Kampionëve) do të flasim me klubin për sezonin e ardhshëm dhe për ndryshimet që do t'i bëjmë".
"Mirëpo, tash për tash nuk mund të flas për gjëra të tilla (si transferimi i Neymarit", ka thënë Zidane në një konferencë për shtyp.
Megjithatë, francezi i ka hedhur poshtë thashethemet se transferimi i brazilianit do të shkaktonte telashe për golashënuesin më të mirë të Mbretërve, Cristiano Ronaldo.
"Lojtarët e mirë janë gjithmonë të përshtatshëm. Më kujtohet një herë thoshin për mua se nuk mund të luaja me (Youri) Djorkaeffin, por ne e fituan Kupën e Botës bashkë".
"Prandaj, lojtarët e mirë gjithmonë mund të luajnë bashkë. Në fushë ndodh një kimi. Nuk e di nëse jemi në bisedime me Neymarin".
"Nuk i kam kërkuar Neymarit personalisht (të vijë), sepse nuk përfshihem në gjëra të këtilla", ka shtuar Zidane. /Telegrafi/


