Tepihu i kuq
- President shteti apo vilajeti -
“Presidenti Sejdiu ka mundur të jetë president vendi në një kohë tjetër”. Kështu tha një ditë një mik, teksa flisnim për elitën politike të vendit.
Po bëhen tre vite që presidenti ynë, profesori i së drejtës, nuk ka denjuar asnjëherë të mbaj lartë dinjitetin e postit të presidentit. Përveç dobësive të tij në planin e brendshëm, duke kujtuar vetrritjen e pagës, mosmbajtjen e unitetit, shkeljen e Kushtetutës përmes ushtrimit të postit partiak, ai na ka dëshmuar edhe qëndrimin e mjerë, aq më pak karshi vendeve fqinje, që nuk kanë lënë obstruksion pa përdorë ndaj vendit tonë.
Mosshkuarja në ceremoninë presidenciale në Maqedoni, lënia e vizitës bilaterale për një ditë më të mirë, përfolja për anulimin e pritjes protokolare shtetërore për këtë vizitë, madje edhe ndoshta me mungesë të flamurit të Kosovës, shtron pyetjen se për çfarë i hyn në punë vendit diplomacia e nënshtrimit. “Në këtë takim të parë, të dy presidentët do të japin sinjale inkurajimi dhe do të demonstrojnë raporte të mira mes dy vendeve, ka njoftuar kabineti i kryetarit të Maqedonisë”. Ky është formulimi më i stërkequr i politikës ballkanike, në të cilën dominon fqinjësia e bazuar mbi inate, e manifestuar me ndërskamca simbolesh e ikjeve protokolare.
Lajmi i fundit ishte që megjithatë presidenti ynë do të ketë “vizitë zyrtare”. Vet presidenti na tha se po u bë ndryshe, ai nuk do të shkoj në Shkup.
Kosova është njohur si shtet nga Maqedonia fqinje, ndonëse me vonesë dhe e shtyrë nga presioni amerikan. Problemi i kahershëm i demarkacionit të kufirit që na lidhë me këtë shtet zyrtarisht është zgjidhur pa probleme të mëdha ndërshtetërore.
Në aspektin ekonomik, Kosova është importuese e madhe e mallrave nga Maqedonia, ndërsa shumë herë është penguar që të eksportoj mallrat e veta atje.
Në aspektin e qarkullimit ndërfqinjësor, qytetarët e Kosovës paguajnë taksa prej 3-50 euro në emër të sigurimit shëndetësor për të hyrë në Maqedoni. Këtu s’ka si të mos kujtohet haraçi që paguanin po këta njerëz të Kosovës para vitit 1999 në emër të një “depoziti” prej 20 markash.
Çfarë i mbetet presidentit tonë të “sinjalizoj” dhe “inkurajoj” në këtë takim nënçmues, ku presidenti maqedonas e ndryshon protokollin dhe qartë paralajmëron nivelin joshtetëror të takimit. Edhe tani që u tha se do të ketë vizitë protokollare, fqinjët tanë do të dinë ta bëjnë ndonjë bishtnim. Për shembull, do të harrojnë ta vendosin flamurin në tavolinë, ose presidenti Sejdiu do të pres në ndonjë korridor, sepse presidenti maqedonas ka kokëdhimbje dhe është duke pritur ujin e bekuar nga Shën Naumi për ta pirë një paracetamol.
Janë dy gjëra bazike që duhet të mësojnë krerët e shtetit tonë. Një, se nuk shkohet në një vizitë shtetërore, ku ende pa shkuar plas sherri diplomatik, dhe dy, nuk shkohet askund në vizitë, nëse nuk ka përfitime konkrete për interesa shtetërore.
Sa për vizita private, presidenti ynë më mirë është të kalojë një vikend në ‘McDonalds’ apo në kopshtin zoologjik, dy gjëra që ka më shumë Shkupi, kryeqyteti i dikurshëm i Vilajetit të Kosovës. Ose, presidenti edhe mund të çlodhet pranë liqenit të Ohrit nga protokolli i lodhshëm i Prishtinës, nga Prishtina zyrtare ku nuk ka mbetur kush pa e takuar presidentin Sejdiu, ministra bujqësie, sekretar e zëvendës/nënsekretar shtetesh të ndryshme, turistë të shumtë të simbolit “New Born”.
Por, Presidenti ynë nuk ka nevojë të shkel Maqedoninë për një vizitë pa tepih të kuq, pa flamurin e shtetit të vet dhe në një vizitë ku së paku nuk trajtohen për t’u zgjidhur me protokoll ndërshtetëror dy-tri çështje me interes të përbashkët.
Fundja, nuk na duhet një fqinj, i cili na nënçmon dhe i cili llogaritë në ne vetëm atëherë kur bie në zor. Pa reciprocitet, nuk ka mundësi të shkojmë mirë me fqinjin e parë.


