Please enter at least 3 characters.

Serbia para rubikonit

Shteti do t`i qërojë hesapet me huliganët, shteti do të bëjë kështu, shteti do të bëjë ashtu-kjo ishte esenca e deklaratave të udhëheqësve shtetëror dhe institucional të Serbisë pas asaj që ndodhi gjatë dhe pas “Paradës së krenarisë” në Beograd të dielën. Grupe të shumta të huliganëve për të cilët më pas u konstatua se nuk ishin vetëm grupe të thjeshta të të rinjve por formacione mjaftë mirë të organizuar dhe me strategji të qartë të përzgjedhjes dhe të sulmimit të caqeve të caktuara. Por, sado që zyrtarët shtetëror dhe partiak mundoheshin ta shfaqin habinë e tyre me atë që ndodhi, me pasojat shkatërrimtare të aksioneve në qendër të Beogradit, kjo ishte vetëm sipërfaqësore dhe sërish ta kujton strucin që vazhdon ta mbajë kokën të futur në rërë duke harruar se prapanica i ka mbet jashtë dhe atë tanimë e ka marr flaka.

Sepse, ajo që ndodhi në rrugët e Beogradit është vetëm edhe një ballafaqim me një realitet të cilën shoqëria serbe nuk dëshiron ta shohë dhe me të cilën nuk dëshiron të ballafaqo gati dy dekada. Nuk dëshiron ta bëjë këta sepse është produkt i po kësaj shoqërie dhe e kësaj strukture shtetërore e cila në asgjë në praktikë nuk është distancuar nga një politikë e tmerrit, terrorit, e vrasjeve e pushtimeve, nga politika e hegjemonizmit serbomadh duke konfirmuar se me një moderim dhe distancim sipërfaqësor, ka ruajt vazhdimësinë e këtyre politikave anakronike.

U tha se janë këto strukturat e kriminalizuar të tifozerisë sportive të vendit. Ashtu ishte thënë edhe për tifozerinë e prirë nga Zhelko Razhnatoviqi – Arkanit që në mesin e 80-tave të shekullit të kaluar dhunonte stadiumet sidomos në Kroaci dhe Bosnjë me përkrahje të plotë të strukturave të policisë sekrete serbo-jugosllave duke paralajmëruar atë që do të pasojë pas disa vitesh. Dhe aty filloi që më pas ato formacione të transformohen në struktura paramilitare që bënë krime të shumta në të gjitha zonat e luftimeve në ish hapësirën jugosllave. Dhe, për këto struktura ish sistemi po edhe Kisha ortodokse serbe kishte vetëm fjalë miradije për punën që bënin me popullatën civile në Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë.

Kjo frymë e ruajti vazhdimësinë e vetë edhe pas rënies së Millosheviqit sepse ata që erdhën më pas nuk kishin as fuqi e as vullnet të ballafaqohen me një dukuri të tillë. Dhe këtë pafuqi dhe hamendje kryeministri serb Zoran Gjingjiqi e pagoi me kokë. Sipas njoftimeve të herëpashershme policore, këto grupe që hiqen si tifozë të klubeve sportive, në esencë janë grupe mjaftë mirë të organizuara mafioze dhe të instrumentalizuara nga strukturat klero-nacionaliste dhe neofashiste në Serbi thellë të etabluara në sistemin dhe shoqërinë serbe. Dhe, nuk është e rastit kjo që ndodh në këtë moment sepse Serbia ndodhet para një Rubikoni të vërtetë nga kalimi apo mos kalimi i të cilit do të varet ardhmëria e këtij vendi për një periudhë të gjatë kohore. Sepse, struktura aktuale shtetërore e ka marrë disa herë si nga BE ashtu edhe nga SHBA porosinë e qartë-ose drejt Evropës me tërësinë e reformave që nevojiten ose në izolim.

Reformimi e ka çmimin e vetë njashtu si edhe izolimi. Për të reformuar Serbia krahas shumë ndryshimeve duhet të bëjë edhe disa mjaftë qenësore me të cilat në fakt Serbia më nuk do të ishte ajo Serbi unitariste , hegjemoniste, e dhunshme, burgu i popujve. Kjo nënkupton në rend të parë reformimin e ushtrisë duke mënjanuar kuadrin komandues, gjeneralë dhe kolonelë, që kanë qenë të përfshirë në luftimet e viteve të 90-ta, zvogëlimin e kapaciteteve ushtarake, reformimin e shërbimeve të zbulimit dhe të kundërzbulimit ushtarak dhe policor, braktisjen e bashkëpunimit me strukturat kriminele - mafioze arrestimin e këtyre strukturave e shumë pastrime në oborrin mjaft të ndotur. Të mos përmenden reformat në organizimin e shtetit drejt një rajonalizim të njëmendtë me çka do të shkatërrohej shtylla kryesore e shtetit serb-unitarizmi si dhe do të fuqizoheshin organizmat rajonal me një ndikim shumë të fuqishëm të pakicave nacionale. Dhe, të gjitha këto janë mjaftë të dhembshme për Serbinë e madje për një strukturë të caktuar në shoqërinë serbe të mbledhur rreth politikanit ultrancionaolist serb Vojisllav Koshtunica dhe atyre që qëndrojnë prapa organizatës neofashiste “Obraz” duket se janë të papranueshme kështu , reagimet janë të pritshme. Në këtë nuk mbet prapa as bërthama aktuale politike e tubuar rreth presidentit serb Boris Tadiq.

Çështja tjetër që ka nxitë nervozizmin e këtyre qarqeve në serbi është edhe vendimi i paradokohshëm i prokurorisë serbe që ta rihapë rastin e vrasjes së Gjingjiqit duke u përqendruar kësaj radhe në prapavijë politike këtij atentati. Që në momentin e publikimit të këtij vendimi analizat e para, të asaj që i parapriu këtij atentati e që u anashkalua mjeshtërisht nga shteti gjatë këtyre viteve, gishtin e drejtuan sërish kah strukturat politike në krye të të cilave sërish paraqitet Vojisllav Koshtunica duke mos amnistuar as Tadiqin si ish ministër i mbrojtjes.

Rasti i parë që kjo strukturë shtetërore të spastrojë punën sinqerisht me të kaluarën ishin trazirat që ndodhën në Beograd pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës me 17 shkurt 2008. Këto grupime dogjën ambasadën amerikane, dëmtuan edhe disa ambasada tjera dogjën e shkatërruan shume objekte tjera dhe si desert për ta treguan fytyrën e vërtetë, plaçkitën shumë shitore, si pre e zakonshme e luftës të zbatuar anë e kënd ish hapësirës jugosllave. Dhe, krejt çka bëri shteti serb më pas ishte baras me një hiç duke treguar edhe një herë mosgatishmërinë dhe pafuqinë që seriozisht të ballafaqohet me këto rryma luftënxitëse dhe mafioze. Natyrisht se ky ishte një sinjal se këto formacione mund të aktivizohen sa herë që duan dhe të bëjnë çdo gjë. Por, tani, siç do të vlerësojë edhe drejtori i përgjithshëm i RTS, Aleksandar Tijaniq, ndoshta e diela e 10 tetorit të vitit 2010 ishte një provë gjenerale për diç më të madhe që mund të ndodhë në Serbi në ditët në vijim.

Pra, është e qartë se simbioza e tanishme strukturave shtetërore në shoqërinë serbe me demonstrimet sipërfaqësore për rrugën evropiane nga njëra anë dhe ultrancionaoizmit, hegjemonizmit dhe krimit të organizuar, nga ana tjetër, ka prekë në pikën e fundit, pikën e vlimit që kërkon përgjigje të qartë: ballafaqim të dhembshëm por të vërtetë, të thellë me të kaluarën dhe ecjen e sinqertë drejt integrimeve evropiane ose zhytje të mëtutjeshme në baltën e anakrnozimave, në baltën e hegjemonisë, nacionalizmit serbomadh, ngjalljes së neofashizmit dhe natyrisht krimit të organizuar me përkrahje të vazhdueshme të strukturave shtetërore. Tani mbetet të shihet se sa larg do të shkojnë kërcënimet e djeshme të shtetit serb sepse pashmangshëm do të ballafaqohet edhe me vetveten.