Piloti shqiptar ndalon sulmin kamikaz në SHBA (Foto)
Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit në Shtetet e Bashkuara beson se rrëzimi i avionit të vogël në East Hartford, të Connecticut-it nuk ka qenë aksidental, por i qëllimshëm. Avioni me dy motor u përplas me një shtyllë të tensionit të lartë e u përfshi nga flakët.
Nga rrëzimi, studenti i fluturimit Feras Freitekh mbeti i vrarë në vend, ndërsa instruktori i tij shqiptaro-amerikan fatmirësisht shpëtoi gjallë, por ka marrë djegie të mëdha në pjesë të ndryshme të trupit.
“Hetimet fillestare tregojnë se bëhet fjalë për një akt të qëllimshëm”, thuhet në deklaratën e autoriteteve.
Arian Prevalla, shqiptaro-amerikani, që drejton një shkollë të pilotimit, në SHBA, luftoi për të marrë në dorë kontrollin e avionit, kur studenti i tij me origjinë nga Jordania, refuzoi në mes të fluturimit që të ndiqte itinerarin e planifikuar.
Avioni u rrëzua pranë Uzinës “Pratt & Whitney” që prodhon motorë avionësh, disa prej të cilëve për ushtrinë amerikane. Siç bën të ditur gazeta shqiptaro-amerikane, “Illyria”, në New York, Uzina numërohet si një pikë me rëndësi strategjike për sigurinë kombëtare amerikane.
Afërsia me uzinën nxiti menjëherë interesin e FBI-së, ndërsa tregimi i instruktorit shqiptar ka sjellë fillimin e një hetimi urgjent. Agjentët federal kanë kontrolluar apartamentin në Illinois, të studentit jordanez, po nuk kanë bërë ndonjë njoftim deri tani.
Avioni goditi një nga shtyllat dhe telat e elektrikut duke marrë flakë. Nga rrëzimi mbeti i vdekur student 28-vjeçar. Për shkak të përplasjes, një pjesë e zonës përreth humbi furnizimin me rrymë.
Guvernatori Dannel P. Malloy ka paralajmëruar që publiku të mos hidhet në përfundime pa mbaruar hetimi për incidentin, transmeton tiranaobserver.
Prevalla, i cili e ka hapur shkollën e pilotimit, në 2006, në Hartford, Connecticut, është edhe President i Akademisë Amerikane të Fluturimit. Ai ka marrë plagë të mëdha djegieje por besohet se është jashtë rrezikut për jetën.


