Pavarësisht nga statusi, mund të fillohet me implementimin e planit të Ahtisaarit
Rupnik po ashtu ka vlerësuar se zvarritja e statusit të Kosovës deri pas zgjedhjeve në SHBA dhe Rusi, është opsion më i rrezikshëm.
Duke folur për hezitimin e disa vendeve që të pajtohen me pavarësinë e Kosovës pa miratimin në Kombet e Bashkuara, Rupnik ka thënë. “Motivet e këtij qëndrimi janë të ndryshme, nganjëherë të kuptueshëm, nganjëherë jo, por gjithsesi ato duhet marrë parasysh”.
“Keni Greqinë dhe Qipron që Beogradin e shohin si faktorin kryesor në rajon, keni Spanjën që heziton për shkak të problemit me baskët, ose Sllovakinë për shkak të pakicës hungareze. Përmes këtyre shpjegimeve synohet mbajtja e status-quos që është një opsion shumë i rrezikshëm”, është shprehur ai.
Pavarësisht nga statusi, sipas Rupnikut, në Kosovë mund të fillohet me implementimin e planit të Ahtisaarit, sepse kjo “do t'u dëshmonte serbëve se plani i Ahtisaarit është i mirë dhe se atyre u ofron garanci dhe ardhmëri”. /REL/


