"Ndihem sikur edhe unë i kam fituar zgjedhjet": 'Joe Baiden' i Japonisë bëhet sensacion në internet, brenda ditës
Fitorja në zgjedhjet amerikane e Joe Biden ka sjellë një moment të pabesueshëm për një politikan lokal në Japoni.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Yutaka Umeda, 73 vjeç, kryetari i bashkisë së Yamato, një qytet i vogël në jug-perëndim të vendit, është bërë një sensacion brenda natës në internet pasi u vu re se karakteret kanji të përdorura për të shkruar emrin e tij gjithashtu mund të shqiptoheshin "Jo Baiden".
Ai thuhet se nuk kishte asnjë ide se njerëzit kishin bërë lidhjen midis emrit të tij dhe Biden derisa familja e tij i tha se ai ishte trend në mediat sociale.
"Ndihem shumë afër tij", tha "i hutuar" Umeda, sipas agjencisë së lajmeve Kyodo. "Ndihem sikur edhe unë i kam fituar zgjedhjet".
Sipas The Guardian, karakteret kanji, të cilat e kanë origjinën në Kinë, shpesh kanë disa lexime fonetike.
Mbiemri i kryebashkiakut 梅田 - që përmban dy karaktere - mund të lexohet si "ume" dhe "da", por gjithashtu edhe si "bai" - dhe "den".
Karakteri i vetëm 穣 për emrin e tij të dhënë, Yutaka, shqiptohet më shpesh si "jo". /Telegrafi/


