Please enter at least 3 characters.

Lan Qyqalla: Një zë shqiptar që po pushton skenën letrare ndërkombëtare

Në një kohë kur letërsia shqipe përpiqet të kapërcejë kufijtë kombëtarë dhe të gjejë jehonë në skenën ndërkombëtare, zëri krijues i shkrimtarit dhe poetit Lan Qyqalla po dëshmohet gjithnjë e më i pranishëm dhe më i fuqishëm në qarqet letrare botërore

Lan Qyqalla, një emër i njohur në letërsinë shqipe bashkëkohore, po lë gjurmë të thella përmes një krijimtarie që pasqyron ndjenjën e thellë njerëzore, shpirtin meditativ dhe një botëkuptim të mbështetur në vlera universale. Poezitë dhe tregimet e tij, të pasura me emocione, metafora të ndërtuara me kujdes dhe imazhe prekëse, deri tani, janë përkthyer dhe botuar në më shumë se 122 revista ndërkombëtare dhe në shumë portale letrare dhe 31 gjuhë botërore, duke krijuar një profil letrar me prani të qëndrueshme në hapësirën kulturore globale.

Së fundmi, tregimet e tij janë botuar në shtatë vazhdime në revistën më prestigjioze franceze RAL’M, secila e shoqëruar me vështrime kritike nga poetja dhe filozofja e njohur franceze, Prof. Catherine Andrieu. Kjo përbën një njohje të veçantë për cilësinë e penës së tij dhe thellësinë që mbartin tekstet e tij letrare. Po ashtu, tregimi “Vajza nga Dardania” është përzgjedhur për botim në numrin e ardhshëm të revistës britanike Morphrog, një platformë e njohur për zëra letrarë eksperimentalë dhe inovatorë me ndikim global.

Catherine Andrieu e ka përshkruar stilin dhe forcën shprehëse të Qyqallës me fjalët: “Lan Qyqalla shkruan për momentin e atëhershëm kur fjalët nuk mjaftojnë më, dhe ku dashuria bëhet një heshtje që flet më shumë se çdo zë. Ai prek atë pjesë intime ku plagët bëhen krijimtari, dhe mungesat – një mënyrë e re për të parë ata që mbeten.”

Përmes veprës së tij, Lan Qyqalla po sjell një përfaqësim të denjë të kulturës dhe shpirtit shqiptar në letërsinë botërore. Ai është një urë lidhëse midis traditës dhe modernitetit, midis rrënjëve kombëtare dhe përvojës së përbashkët njerëzore. Në poezinë dhe tregimet e tij, lexuesi gjen jo vetëm estetikën e fjalës, por edhe një reflektim të thellë mbi dhimbjen, dashurinë, kujtesën dhe identitetin.

Bibliografia e autorit përfshin këto vepra: “Bardhësi në Bardh”, monografi, Prishtinë, 1995; “Nimfa e një zemre të lënduar”, tregime, 2013; “Loti – det dhimbjesh”, poezi, në Prishtinë, 2016; “Lacrima Cuvântului” (Loti i fjalës), në gjuhën rumanisht, Buresht, 2016; “Lora”, poezi, më 2017, në Prishtinë; “Pashaportul iubirii”, në gjuhën rumanisht, Bukuresht, 2018; “Lora, mon amour”, në gjuhën frëngjisht, Bukuresht, 2018; “Passport of Love”, në gjuhën anglisht, Bukuresht, 2018; “À l’ombre des muses” (Në hijen e muzës), në gjuhën frëngjisht, Paris, 2019, botuar nga shtëpia botuese L’Harmattan dhe në shitje përmes Amazon; “Nus vers l’indépendance”, tregime, Antologji, Paris, mars 2020 (i përfshirë në Antologjinë frankofone me një tregim); “Poètes de l’AICL, une anthologie”, poezi, Paris, 2018 (Antologji frankofone me poete botërorë, ku është i përfshirë me poezi); “Lora”, në gjuhën turke, Stamboll, 2022, përkthyer nga akademik Kopi Kyçyku; “Dashuri vjeshtake në Prishtinë”, poezi, Prishtinë, 2022; “Automne à Prishtina”, poezi në gjuhën frëngjisht, botuar nga L’Harmattan, Paris, 2023; “Host i Pristina”, në gjuhën suedeze, Malmo, Suedi, 2022; “Grafiku i shpirtit”, tregime, Prishtinë, 2022; dhe “Vajza e Dardanës”, tregime, Prishtinë, 2024.

Gjithsesi, vlerësimi institucional nuk ka munguar. Në vitin 2017, Lan Qyqalla u nderua me çmimin “Krijuesi i Vitit” nga Komuna e Fushë-Kosovës, si shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij të vyer në pasurimin e kulturës dhe letërsisë kombëtare. Ndërsa në vitin 2019, Lidhja e Shkrimtarëve Shqiptarë në Maqedoni-Shkup e nderoi me çmimin për “veprën më të mirë poetike”, duke theksuar veçantinë e zërit të tij poetik dhe ndikimin e thellë që krijimtaria e tij ka në letërsinë shqipe.

Sot, Lan Qyqalla vazhdon të jetë një prej zërave më të njohur dhe më të përfaqësuar të letërsisë shqipe, duke dëshmuar se fjala shqipe, kur shkruhet me shpirt, prek zemra përtej çdo gjuhe dhe çdo kufiri. /Telegrafi