Kuvendi i Shqipërisë mban një minutë heshtje për Madeleine Albright
Kuvendi i Shqipërisë mban një minutë heshtje për ish-Sekretaren amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, e cila ka ndërruar jetë të mërkurën në moshën 84-vjeçare pasi kohët e fundit ishte duke luftuar me një sëmundje të rëndë.
Me kërkesë të kryetarit në detyrë të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, Kuvendi nderoi ish-Sekretaren Albright për kontributin e saj në marrëdhënien dypalëshe Shqipëri-Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për rolin e saj në çlirimin e Kosovës.
Mikja e madhe e shqiptarëve, Madeleine Albright, vlerësohet për ndikimin e madh për të bindur SHBA-të dhe botën për krimet që po kryheshin në Kosovë nga ushtria dhe policia serbe.
Zëvendëskryetarja e Kuvendit, Ermonela Felaj tha se “Albright i shërbeu me të njëjtin përkushtim popujve dhe kombeve të botës që aspirojnë për liri, demokraci dhe paqe".
"Sekretarja Albright ka një meritë të veçantë në kombinimin e rolit vendimtar të SHBA me aleancat dhe vendimet multilaterale. Shqipëria dhe shqiptarët i janë mirënjohës Albright për kontributin e saj përcaktues në vendimin për sulmet e NATO-s, të cilat çuan në çlirimin e Kosovës”, theksoi Felaj.
Albright ka vizituar tri herë Kosovën, pak muaj pas përfundimit të luftës 1999, më 2005 dhe 2019. Më 2005, mbajti një fjalim në Kuvendin e Kosovës, ndërkohë më 2019, ishte e pranishme në ngritjen e bustit në nderim të saj.
Ajo është gruaja e parë sekretare e shtetit të SHBA-së, e cila ndihmoi në drejtimin e politikës së jashtme perëndimore pas Luftës së Ftohtë.
Familja e saj ka bërë të ditur se Albright ka vdekur shkaku i kancerit dhe se në momentet e fundit ishte e rrethuar me anëtarët e familjes. /Telegrafi/


