Please enter at least 3 characters.

Krasniqi: E jashtëligjshme kërkesa e pakicave për vendet e rezervuara

2016/01/krasniqi-e-quan-t-euml-jasht-euml-ligjshme-k-euml-rkes-euml-n-e-pakicave_hd.jpg

Kryetari i Kuvendit të Kosovës e quan të jashtëligjshme kërkesën e pakicave që në kuadër të ndryshim-plotësimit të Kushtetutës, të përfshihen edhe kërkesat e pakicave për vendet e rezervuara. Në një prononcim për Radio Kosovën, Krasniqi tha se kërkesat e tyre janë në kundërshtim me dokumentin gjithëpërfshirës të Marti Ahtisarit.

“Pakicat nuk kanë të drejtë ta bëjnë kërkesën që janë duke e bërë. Ata i kanë pasur dy mandate me dokumentin gjithëpërfshirës dhe ato dy mandate tani përfundojnë dhe kërkesat e tyre janë të jashtëligjshme dhe që nuk përkojnë me ato të drejta që i kanë pasur me dokumentin gjithëpërfshirës të presidentit Ahtisaari”, tha Krasniqi, për Radio Kosovën.

Kreu i Kuvendit theksoi se komunitetet në Kosovë janë të përfaqësuara në institucionet e shtetit më mirë sesa në çdo vend tjetër evropian. Këtë kërkesë të pakicave, kryeparlamentari Krasniqi e konsideron të dëmshme për vetë Kuvendin.

“Përfaqësimi i komuniteteve pakicë në institucionet e Kosovës e në mënyrë të veçantë në Kuvend, është përfaqësimi më i mirë në të gjitha vendet e Evropës, duke përfshirë edhe vendet e BE-së dhe konsiderojmë se kërkesat e tyre që të vazhdohet me vendet e rezervuara, jo të garantuara, është në dëm të funksionimit demokratik të legjislativit”, tha Krasniqi.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e djeshme, aprovoi amendamentet për plotësim-ndryshimet kushtetuese, me të cilat ndryshon formati dhe mandati i FSK-së në Forcave të Armatosura të Kosovës. Këtë rast e shfrytëzuan dy ministra nga komunitetet pakicë për të përsëritur kërkesën që në kuadër të këtyre ndryshimeve, të përfshihet edhe kërkesave e pakicave, që ka të bëjë me vazhdimin e vendeve të rezervuara për komunitetet pakicë.

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi tha se nëse amendamente të tilla i dorëzohen Kuvendit nga ana e Qeverisë, ai fillimisht do t’i dërgojë ato në Gjykatën Kushtetuese për interpretim. /Telegrafi/