Kosova në prag të tri tendosjeve të 2010-ës
- Analizë mbi semestrin e parë politik dhe të sigurisë 2010 -
Rënia e qeverisë PDK-LDK, lëkundja, ose rikonfigurimi i saj, turbulencat sociale, kërcënimet e telekomanduara të Beogradit në veriun e Kosovës, janë tri pritshmëri që do të ndodhin në Kosovën e 2010-ës. Agjenda e EULEX-it me grykësit e tenderëve është një opsion. Një rrjedhë logjike e ngjarjeve që do ta formatizojë jetën e qytetarëve gjatë 2010.
1. Për të bërë një vlerësim mbi situatën e ardhshme, për aksionet dhe zhvillimet kryesore që pritet të ndodhin në gjashtëmujorin e parë 2010 në Kosovë, duhet analizuar një sërë faktesh dhe situatën në të cilën po kalon vendi, vegjetacionin politik, çarjet brenda partive, tendenca për të kontrolluar qeverinë dhe paratë e buxhetit, kumulimi i pakënaqësive sociale, aktivitetet ilegale serbe, dhe “frytet” që ka korrur që nga 2007 e deri më tani Qeveria “Thaçi”.
Më 19 nëntor 2009 në kafeterinë “Zanzibar” në Prishtinë, befasisht “muzgu politik” kaploi Kosovën, për disa ora u “prish” koalicioni PDK-LDK. PDK vuri në përdorim arsenalin politik kundër koalicionit, por pas pak orësh dikush dha “komandën” që të ndalohet “sulmi”, e dikush tjetër bëri përllogaritjet se sa “duar” duhet ngritur në parlament për të bërë qeveri të re.
Ky “atak” i PDK-së ishte nga më joseriozi që ka përjetuar Kosova demokratike. “Thyerja” e dytë në tentativë ishte kur të dy partnerët PDK dhe LDK u konfrontuan ashpër gjatë balotazhit të 13 dhjetorit, sidomos në Prizren, Gjilan dhe Lipjan. Lufta për këto tri “kështjellat” e pushtuara të LDK-së pritet të vazhdojë pas festës së Vitit të Ri. Në fushatën parazgjedhore nuk munguan as grushtimet, sulmet fizike dhe kërcënimet për vëzhguesit partiak të zgjedhjeve. Tashmë një sindrom që nga paslufta. Kjo ka shtuar skajshmërisht frustrimin brenda LDK-së, tashmë kur disa zyrtarë të lartë të kësaj partie vazhdimisht zënë në gojë prishjen e koalicionit qeveritar.
Derivati kryesor i fitores së LDK-së, kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa (këshilltar i Presidentit Fatmir Sejdiu) këto dy muajt e fundit ka paralajmëruar prishjen e koalicionit që në gjashtëmujorin e parë pas festës së Vitit të Ri. Megjithëse kjo gjë kërkon një forum partiak. Ka zëra të tjerë sikurse Ismet Beqiri (deputet i LDK), Lutfi Haziri (nënkryetar i LDK) që përfolën këtë mundësi. Boksimet, sulmet fizike, fyerjet, që ndodhën më 13 dhjetor në mes komisionarëve partiak PDK-LDK, sikurse fyerjet publike “se Mafia e LDK-së ka vjedhur votat në Prizren” nga goja e Zafir Berishës (kryetar i PDK-së në Prizren dhe deputet i parlamentit), vazhdojnë t’i reflektojnë relacionet në mes të partnerëve të koalicionit PDK-LDK.
Këto veprime populiste dhe akuza u bënë në ditët “e konsumimit” por që lanë gjurmë në disponimin e elektoratit. Në Prizren, Eqrem Kryeziu është njëri ndër zyrtarët kryesor të LDK-së që më 2007 kishte nënshkruar koalicionin qeveritar me PDK-në. “Akuzat” e Zafir Berishës mbase drejtohen në këtë adresë. Dhe ka përpjekje që të rrëmbehet fitorja, sikurse në zgjedhjet e kryeministrit Hamit Karzai në Afganistan, i cili me vota të vjedhura u rizgjodh kryeministër. Gjatë fushatës zgjedhore Hashim Thaçi dhe PDK-ja kanë bërë harxhime maksimale financiare, duke mbështetur kandidatin Ramadan Muja (PDK) në Prizren. Por jo vetëm Euro ose Dollari është efecient për t’i mbajtur në skenë “ekselencat”. Së fundi ripërtëritja e zgjedhjeve dhe fitorja e mundshme e LDK-së atje do t’i “kërcënonte” marrëdhëniet me PDK-në në nivel qendror. Dhe kjo ditë po afrohet me hapat e leopardit.
Fitorja në Prizren për LDK-në nuk do të ishte vetëm një diversion politik, por dhe një triumf që do të vlente për të parandaluar krizën brenda partisë. E për t’u rezistuar dallgëve të akuzave që pritet të vijnë nga një pjesë e “stisur” e partiakëve. Fitorja “lapidare” e LDK-së në Prizren, do shërbente si argument dhe alibi për ta arsyetuar para elektoratit koalicionin PDK-LDK. Ka të ngjarë që do shfrytëzohet nga Eqrem Kryeziu nënkryetar i partisë dhe presidenti Fatmir Sejdiu që në të ardhmen ta ruajnë kontrollin brenda LDK-së. Sipas dinamikës, pritet që nga muaji mars 2010 LDK të fillojë të zhvillojë zgjedhjet partiake nëpër degë, të cilat do zgjasin 3 ose 4 muaj, dhe në fund do të kemi një kryesi të re të partisë. Nëse gjatë verës së ardhshme do mbahet konventa e partisë, aty do analizohen shkaqet, do merren vendime edhe për vazhdimin ose prishjen e koalicionit aktual qeveritar. Por fillimisht LDK duhet zgjedhur të zotin e shtëpisë, të ketë më shumë uniformitet. Sepse aktualisht kjo parti ka shumë zëra kakofonie.
Pas “prishjes së koalicionit” më 19 nëntor 2009 zyrtarë të PDK-së zbuluan mundësinë e rikonfigurimit të qeverisë. Ndërsa LDK-ja u shpreh e gatshme për prishjen e koalicionit. Nëse ndodh rikonfigurimi, atëherë me gjasë pritet ndërrimi i ministrave: Justina Pula Shiroka (PDK, Energjetikë), Nekibe Kelmendi (LDK, Drejtësi), Zenun Pajaziti (PDK, Ministria Brendshme), Ahmet Shala (PDK, Ekonomia), Alush Gashi (LDK, Shëndetësia). Tashmë ndaj ministrave në fjalë kritikat kanë nisur dhe sa vijnë e bëhen të zëshme. Si pasojë e vizionit të mangët të tyre dhe më gjerë. Kjo “lojë” e pakthim ka nisur.
Bujar Bukoshi (deputet i LDK-së) këto ditë e tha hapur se “Ministria e Drejtësisë, është ministri kot, dhe nuk funksionon”, dhe kjo ministri drejtohet nga LDK-ja. Këtyre ministrive iu atribuohen një sërë dështimesh, duke filluar nga rasti i vjedhjes në polici, e deri të ekonomia e zezë. Dinamika e zhvillimeve brenda LDK-së do të jetë e rëndësishme për përcaktimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare pas verës së 2010. Është thuajse e sigurt se nuk pritet që në gjashtëmujorin e parë të bjerë qeveria PDK-LDK, sepse procesi i njohjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës është duke vazhduar, sikurse dhe procesi i Tribunalit të Hagës për ligjshmërinë e pavarësisë do të merr vendim në muajin mars 2010. Dhe këto dy procese janë një shpatë mbi kokë që detyron dhe e ruan koalicionin aktual edhe për ca muaj në vazhdim.
Një vendim i mundshëm pozitiv i Tribunalit të Hagës, do të rezultonte me kërkesat e Qeverisë Thaçi për “shpërblime” e lëvdata ndaj saj. Gjatë gjashtëmujorit në vazhdim pritet që LDK të “zë ngushtë” PDK-në dhe të shtoj presionin ndaj Hashim Thaçit që ta maksimalizoj rolin e saj në qeveri, e të aprovohet në parlament Ligji për Kryeqytetin e Prishtinës, i neglizhuar qëllimisht nga PDK-ja me qëllimin për t’i bërë sabotazh Isa Mustafës (LDK, kryetarit të kryeqytetit). Njashtu pas Vitit të Ri pritet të paktën të merret vendimi për themelimin e ministrisë për integrime evropiane, çështje kjo që do ngre tensionet në mes PDK-LDK se kush do merr timonin e saj.
Nga ana tjetër, Ramush Haradinaj (AAK), Nexhat Daci (LDD), Behgjet Pacolli (AKR) disa herë kanë kërkuar zgjedhje të parakohshme parlamentare. Nëse bëhen bashkë AAK dhe LDK e kanë 42% të kontrollit në Parlament, ndërsa PDK, AKR, LDD mund të ketë 50% të numrave në parlament. Është diskutabile gatishmëria e LDD-së së Nexhat Dacit, e cila së fundi është shprehur kundër afërsisë me PDK-në e Hashim Thaçit. Kjo u dëshmua edhe me “CD e Nazmi Bllacës SHIK” kur dy deputetet Gani Geci (LDD) dhe Adem Salihaj (LDD) sulmuan PDK-në dhe organizatën e ashtuquajtur SHIK (Shërbimi Informativ i Kosovës), e afërt kjo me PDK-në.
U lakuan afera shantazhesh, vrasje e sulme. Ideologjia dhe orientimi i filozofisë partiake i LDD-së është i djathtë. Parti djathtiste. Edhe LDK-ja dhe AAK-ja janë shprehur të djathtë. Për herë të parë pas 2007, gjatë balotazhit të 13 dhjetorit, LDD-ja pranoi të bashkëpunojë dhe të lidh koalicione në nivel lokal me LDK-në dhe AAK-në, si në Prizren, Gjilan, Viti etj. Kjo është një dëshmi se tashmë akulli është shkrirë dhe mundësia e një koalicioni LDK-AAK-LDD është e mundur. Edhe Ramush Haradinaj (AAK) pa hezitim ka lidhur koalicione lokale me LDK-në. Logjikisht gjatë muajve në vijim pritet të shtohet bashkëpunimi dhe ndoshta të ketë një koalicion të ri LDK, AAK, LDD kundër PDK-së. Në këtë përllogaritje pozicioni i AKR-së së Behgjet Pacollit duket i mjegullt, herë realist, herë haluçinant, dhe me gjasë do qëndrojë në afri të PDK-së.
Partia e Haradinajt, AAK-ja, ka një plan konkret për Qeverinë e ardhshme “Haradinaj”. Po vazhdon vrullin e konsolidimit dhe ristrukturimit partiak në tërë Kosovën, duke rritur ndikimin në terren. AAK për 24 orë është në kërkim të mundësive të reja. Është vërejtur një strategji ku figurat e vjetra sikurse Ethem Çeku, Bajram Kosumi, Ibrahim Selmanaj, janë lënë nën hije. Janë angazhuar figura të reja, sikurse Blerim Kuçi, Burim Ramadani, Besnik Tahiri dhe ushtaraku amerikan Stiven Schook, apo dhe ndërkombëtarë të tjerë. Dy ushtarakët Ramush Haradinaj dhe gjenerali amerikan Steven Schook kanë dhënë urdhër për “gatishmëri të lartë” të partisë. Kjo ka rezultuar me joshjen e simpatizantëve dhe qytetarëve, e që në zgjedhjet e 15 nëntorit 2009 rezultoi se AAK dyfishoi votat në nivel Kosove. Procesi i Tribunalit të Hagës ndaj Ramush Haradinajt pritet të marr fund në mënyrë të shkruar gjatë muajve në vijim.
Një çështje tjetër që do përcaktoj ngjarje gjatë gjashtë muajve në vijim është “CD-ja e Nazim Bllacës, SHIK” dhe prezenca e padukshme e SHIK-ut. E cila mbase mund të rezultojë me arrestimin e “peshkut” të madh. E me rikonfigurim të ndonjë institucioni qeveritar. Do ketë disa sulme “Blitzkrieg” kundër qeverisë. Aktualisht dëshmitari okular dhe i involvuari në disa vrasje dhe sulme politike, Nazim Bllaca, ish agjent i SHIK-ut gjendet në arrest shtëpiak në Ribar të Madh (Lipjan), i mbrojtur nga EULEX-i. Tashmë rasti “CD Nazim Bllaca, SHIK” ka kaluar të Këshilli për Siguri Kombëtare, që udhëhiqet nga Kryeministri Hashim Thaçi dhe Presidenti Fatmir Sejdiu.
Pas Vitit të Ri dhe pas përfundimit të procesit në Tribunalin e Hagës për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës, pritet që në Prishtinë të publikohen “CD” të reja me përmbajtje dëshmish kriminale. Pritet që publikime të tilla të bëhet nga Gani Geci (LDD) dhe Adem Salihaj (LDD). Me këtë çështje të mprehtë synohet të kontribuohet në shkatërrimin e koalicionit në dëmtimin e besimit të ndërsjellë PDK-LDK. Sipas dëshmive në “CD” në “ epokën e politikës pagane” 1999 – 2007 SHIK-u ka vrarë dhe ka sulmuar zyrtarët e LDK-së. Ndonjë ndërhyrje politike nga ana e PDK-së për ta devijuar hetimin e “CD”-së mund të rezultojë me një konflikt të radhës me LDK-në dhe partitë e tjera.
Në muajt në vijim “Vetëvendosja” e Albin Kurtit pritet të mos qëndroj duarkryq. Një e mënyrë proteste pritet që ta bëjë me 10 shkurt 2010, datë kjo kur u vranë Arben Xheladini dhe Mon Balaj (10 shkurt 2006) nga policia rumune e UNMIK-ut. Pritën protesta ndaj situatës arrogante të shtetit dhe institucioneve ndërkombëtare. “Vetëvendosja” do të shfrytëzoj si pretekst edhe çështjet aktuale problematike, gjendjen e rëndë sociale, papunësinë, problemet në veriun e Kosovës, procesin e privatizimit, decentralizimin. Në këto rrethana s’përjashtohet organizimi i protestës masive në Prishtinë nga “Vetëvendosja” për të artikuluar masivisht frustrimin e shoqërisë. Kundërshtari më i madh i EULEX-it mbetet kjo organizatë, dhe priten reagimet e ndryshme, mbase demokratike.
2. Rrëziku tjetër i mundshëm për destabilizimin e situatës është gjendja e rënduar sociale në Kosovë. 38% e popullatës jeton në varfëri, një përqindje e konsiderueshme në varfëri ekstreme. Për buxhetin 2010 qeveria ka paraparë 4% rritje ekonomike, bazuar në investimet e huaja, ekskluzivisht nga privatizimi (shitja) e KEK-ut, Aeroportit, PTK Valës, 18 mini-tenderëve për hidrocentralet, fillimi i autostradës Morinë (Shqipëri)-Prizren – Merdarë. Më 2007, kryeministri Thaçi dha shumë premtime. Ndër to ishte ai i dy miliardë eurove, që Kosova do përfitonte nga Konferenca e Donatorëve e mbajtur më 11 korrik 2007 në Bruksel. Në fakt rezultoi se deri më tani në Kosovë erdhën ¼ e donacioneve.
Një element i këtij dështimi është se në Qeveri një kohë të gjatë nuk u krijua ndonjë komision i mbikëqyrësve vendor dhe ndërkombëtarë për monitorimin e donacioneve. Lufta e “stërmundimshme” kundër korrupsionit s’po jep rezultate. EULEX bën sehir. Qeveria nuk ka ndonjë përpjekje serioze për ta luftuar varfërinë që gjithnjë e më shumë po përfshinë provincat e ndryshme në Kosovë. Që nga shpallja e pavarësisë më 17 shkurt 2008, nuk ka pasur asnjë orvatje serioze për krijimin e vendeve të reja të punës. Rinia po ikën në forma të ndryshme drejt Evropës. Deri më tani vëmendja e qytetarëve ishte e drejtuar të zgjedhjet e 15 nëntorit. Në gjashtëmuajshin e parë 2010 pritet të shtohet presioni dhe frustrimi qytetar ndaj dështimeve të qeverisë Thaçi, për punësim dhe përmirësimin e gjendjes sociale.
Qeveria dështoi në luftimin e ekonomisë informale, përkundër premtimit gjatë vitit që po e lëmë nuk u instaluan arkat fiskale për bizneset. Ka zëra që thonë se Qeveria nuk është e interesuar të luftojë seriozisht ekonominë e zezë, sepse ajo është e përfshirë në të. Në këtë kontekst, shoferët, truprojat konsiderohen kuadër politik dhe biznesi. Gjatë vitit 2009 dështoi projekti energjetik për “Kosovën e Re”, dështoi shpallja e tenderit për “Hidrocentralin e Zhurit”, fillimi i ndërtimit të autostradës Morinë (Shqipëri)-Prizren- Merdare. Ka dështime në mbledhjen e taksave doganore në veri të vendit. Në këtë zonë vlojnë korrupsioni dhe aktivitetet e krimit ekonomik.
Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2010 Spanja do të udhëheq Presidencën e radhës së BE-së, dhe Kosova do të ketë më shumë vështersi, kërkesa që lidhen me çështjen e integrimit të saj në BE, për zhvillimin ekonomik, liberalizimin e vizave. Këto çështje ngrenë pyetjen nëse Qeveria Thaçi ka një shteg që duhet ndjekur, një strategji për të dalë nga kjo situatë, apo mund të gjenden para një kolapsi në vitin e ardhshëm. Bazuar në të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) gjatë 2009 eksportet vendore kanë rënë me 30%, remitancat (dërgesat) nga Diaspora kanë rënë nga 10%-12%.
Trendi i rënies së investimeve të huaja vazhdon. Sipas Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) gjatë vitit që po e lëmë kanë dështuar 1000 biznese. Investimet e huaja kanë rënë 45 milionë euro më pak. Në vitin 2008 investimet e huaja ishin 360 milionë euro, që ishin më pak për 80 milionë euro nga investimet e huaja të vitit 2007. Sipas Forumit për Iniciativë Demokratike (FID) shumica e remitancave të Diasporës shfrytëzohen për: 50% për konsum, 18% për ndërtimin dhe riparimin e shtëpive, 17% për shërim shëndetësor, 15% për shkollim, 3% për investime në biznes.
Sipas Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) gjithsejtë 30% e familjeve të Kosovës përfitojnë nga remitancat e Diasporës. Në 2008 kishte 535 milionë euro dërgesa nga Diaspora, ndërsa në vitin 2009 ka pasur rënie në 10%-12%, dhe përllogaritën se ka pasur rreth 400 milionë euro dërgesa. Në vitin 2010 pritet të vazhdoj rënia e shumës së dërgesave nga Diaspora.
Nëse Qeveria të përballej me kurajën qytetare, do të duhej që BSPK-ja (Bashkimi Sindikatave të Pavarura të Kosovës që udhëhiqet nga Haxhi Arifi) dhe KSLK (Konfederata e Sindikatave të Lira të Kosovës që udhëhiqet nga Bahri Shabani) të organizojnë presionin qytetar ndaj qeverisë. Por, a janë të afta BSPK dhe KSLK të bëjnë këtë? – Jo. Sepse në mes tyre ka një rivalitet dhe mosunitet për arsye të interesave të ngushta të personave aty. Janë të telekomanduar nga qeveria. BSPK ka refuzuar të jetë pjesë e Këshillit Ekonomik Social në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Konflikti në mes sindikatave e bën të vështirë që punëtorët të organizohen në protesta për të kërkuar të drejtat e tyre, e përmirësimin e pagave. Në shtetet demokratike këto sindikata punëtorësh e tronditin shtetin.
Rolin për të organizuar protesta të natyrës sociale do ta ketë “Vetëvendosja” e Albin Kurtit, e cila pritet të protestojë në mënyra të ndryshme kundër privatizimit të kompanive shtetërore (KEK, Aeroport, PTK Vala etj). Pakënaqësia e pjesëtarëve të policisë vazhdon. U premtua ngritje pagash dhe rezultoi me dhënie të vogla benificionësh për rrezikun në punë. Në mars 2010 pritet të shtrenjtohet rryma elektrike (KEK). Si pasojë pritet shtrenjtimi edhe i disa artikujve të tjerë të përditshëm. Ndonjë ngritje të çmimit të bukës do të provokonte protestat e familjeve të varfra dhe në nevojë. Qeveria aktuale e Kosovës premtoi se do të përmirësoj sistemin e shëndetësisë, dhe kjo nuk u arrit.
3. Element tjetër që kërcënon Kosovën është situata e sigurisë. Në dukje të parë vlerësohet e qetë, por nuk mungon rreziku. Kosova kërcënohet nga strukturat ilegale paralele të Serbisë, shërbimet e fshehta serbe, moskontrolli dhe anarkia në pjesën veriore dhe në disa enklava. Situatë kjo që mund të eskaloj në incidente ndëretnike. Për t’u përballur me këtë situatë duhet aktivizuar sa më parë Agjencinë Inteligjente të Kosovës (AIK), Forcat e Sigurisë së Kosovës (FSK), të cilat po zhvillohen me një progres të ngadalshëm.
Gjatë gjashtëmujorit të parë 2010 pritet që KFOR-i të reduktoj trupat dhe të ketë 4500 sish më pak në Kosovë. Para pak muajsh, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Veteranëve të UÇK-së, i drejtuar nga Xhevdet Qeriqi paralajmëroi se pas janarit 2010 nëse nuk fillon implementimi i Ligjit për Kategoritë e Luftës së UÇK-së, atëherë do të ketë sërish protesta në rrugë. Është e vështirë që të pritet implementimi i shpejt i këtij ligji, sepse do të duheshin fonde financiare qeveritare. Shumë veteranë të UÇK-së jetojnë në një gjendje të rëndë sociale. Xhevdet Qeriqi dhe disa protestues – veteranë të UÇK po përballën me gjyqësinë e EULEX-it, për sulmin me “Molotov” ndaj oborrit të qeverisë gjatë korrikut 2009.
Një brengë tjetër vazhdon të jetë pjesa veriore, e cila nuk kontrollohet nga Qeveria, dhe problematika e disa enklavave të tjera ku veprojnë serbët. Në Kosovën veriore vazhdon kontrabanda, korrupsioni, dhe buxheti shtetëror humb miliona nga evazioni fiskal, mosmenaxhimi dhe mos kontrolli i kufijve në veri. EULEX ka dështuar të krijoj kontroll në këtë zonë. Së shpejti pritet të hapet zyra e EULEX-it në Mitrovicën e Veriut. Dhe pritet reagimi i radhës së ekstremistëve serbë. Kyçja e sistemit energjetik e veriut me Elektrodistribucionin e Serbisë është argumenti i pamohueshëm që dëshmon se Qeveria e Kosovës ende është e paaftë të fus nën kontroll veriun.
Qeveria e Thaçit ende nuk ka prezantuar nëse ka ndonjë strategji të hollësishme për futjen nën kontroll të veriut. Aty janë parë vetëm pak investime në ndërtimin dhe rindërtimin e shtëpive shqiptare në disa pjesë të veriut të Mitrovicës. Kjo duket më shumë kozmetikë, krahasuar problemin serioz të veriut të Kosovës.
Për pjesën e parë të vitit 2010 kryeministri Thaçi ka paralajmëruar dhënien e 300.000 eurove të tjera për ndërtimin e shtëpive shqiptare në atë pjesë. Dhe s’përjashtohen reagimet e dhunshme të ekstremistëve serbë. Qytetarët shqiptarë atje ndihen ende të pasigurt. Në këtë territor strukturat paralele serbe nuk janë dobësuar, por vazhdojnë të jenë të fuqishme. Kjo u pa qartë gjatë incidenteve që ndodhën muaj më parë në Kroin e Vitakut, në Suhadoll (Mitrovicë), kur shqiptarët filluan ndërtimin e shtëpive. Aty kishte demonstrata të dhunshme serbësh për të penguar ndërtimet e shqiptarëve atje.
Kjo dëshmon se atje situata është tepër e tensionuar. Gjatë gjashtëmujorit të parë të 2010 s’përjashtohet mundësia që strukturat ilegale paralele serbe të reagojnë dhunshëm kundër kryetarëve të porsazgjedhur në zgjedhjet e 15 nëntorit 2009 në Graçanicë, Shtërpcë, Kllokot etj. strukturat ilegale serbe do të përpiqen të ndalojnë punën e këtyre kryetarëve që erdhën me votën e qytetarëve. Bashkësia ndërkombëtare do të duhej që të vazhdonte presionin ndaj Beogradit, që të ndalohen destruksionët serbe. Strukturat paralele serbe, shërbimet e fshehta të BIA-së po përpiqen ta destabilizojnë Kosovën. Nuk ekziston rreziku për integritetin e Kosovës që forcat ushtarake serbe të hyjnë nga Serbia në Kosovë. Kjo ka marrë fund. Por Serbia duke i përdorur këto struktura ilegale civile dhe forcat e fshehta civile, përpiqet të dëshmojë prezencën e saj ushtarake brenda Kosovës.
Pas shumë vonesash Kosova e ka të themeluar Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Nëse ky këshill nuk analizon hollësisht situatën, nëse mblidhet njëherë në muaj, atëherë Kosova gjendet në një situatë të pakëndshme. Tashmë edhe pse me shumë vonesë, ky këshill ka filluar hartimin e strategjisë së sigurisë së Kosovës. Edhe Agjencia e Inteligjencës së Kosovës (AIK) ka një mangësi të madhe. Ende nuk është funksionale. Shumë e vonuar, dhe nuk mund të jetë e aftë me gjitha kapacitetet as gjatë vitit 2010. Punonjësit e saj duhet të kryejnë një sërë trajnimesh dhe të krijojnë sadopak përvojë në këtë punë spiunësh.
Një problematikë tjetër do të ishte politizimi i AIK, mundësi e cila nuk përjashtohet. Disa parti në rolin e “hienave” politike kanë “hapur sytë” të kontrollojnë gjithçka që mundin. Kriminaliteti organizuar është një sfidë tjetër për vendin. Lufta ndaj korrupsionit s’po jep fryte. Trukimet partiake politike vazhdojnë. Ky është një mesazh shumë i keq për investitorët e huaj. Në këto rrethana disa njerëz që ishin problematik në periudhën e pasluftës (afër SHIK-ut), tashmë duket se kanë gjetur vend brenda ndonjë institucioni. Edhe pse me precedentë penale, ata funksionojnë brenda ndonjë institucioni. Dhe përkohësisht janë rehabilituar aty. Shumëkush synon tenderët publik. E mbajnë thesin e hapur për ta mbushur me para. Po shihet një grykësi e madhe tenderësh.
Në këto rrethana për të krijuar më shumë siguri është i nevojshëm konfigurimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), e cila ende nuk ka arritur që të funksionojë me 2500-3000 ushtarët e saj. Policia e Kosovës me afër 10.000 pjesëtarë, ka nevojë për ristrukturim për të qenë më efikase në luftën kundër krimit dhe për të krijuar më shumë siguri për qytetarët e Kosovës. Sikurse dhe EULEX konkretisht t’i fus në agjendë grykësit e tenderëve.


