Italia në dorën e Montit
Situata e krijuar është shumë e veçantë dhe e ndërlikuar. Gjendja rëndohet akoma më shumë sepse përkon më të ashtuquajturin gjashtëmujor të bardhë të presidentit të Republikës, periudha kur ai nuk shpërndan dot Parlamentin dhe nuk shpall dot zgjedhje të reja.
E në këto kushte nuk mund të përjashtohet edhe mundësia e vazhdimit të qeverisë teknike të Mario Montit deri në 15 maj, kur presidentit Napolitano i përfundon mandati.
Pasi parlamenti të zgjidhte një president të ri republike, ky i fundit do të mund të shpërndante parlamentin dhe do të mund të shpallte zgjedhje të reja, transmeton TCH.
Por përpara se të ndodhë kjo, me sa duket presidenti Napolitano synon të bëjë ç’është e mundur për të zgjidhur këtë nyje përpara se t’i mbarojë mandati. Pas zhvillimit të zgjedhjeve ai duhet patjetër të ngarkojë dikë për krijimin e qeverisë.
Megjithë rrethanat e krijuara ai duhet të provojë të gjitha mundësitë, nëse të gjitha përpjekjet dështojnë, presidenti i Republikës mund të vendosë vazhdimin e punës së qeverisë së dorëhequr të Montit. Ose të japë dorëheqjen vetë përpara kohë për të përshpejtuar gjithë procesin. Hipotezë kjo që duket shumë e largët për presidentin Napolitano, i cili ka dëshmuar vitalitet dhe aftësi për të nxjerrë vendin nga situata të vështira. /Telegrafi/


