Ish-legjenda e Arsenalit: Refuzimi i Real Madridit mbetet pengu më i madh në karrierën time
Legjenda e Arsenalit, Patrick Vieira, ka folur për momentin vendimtar të karrierës së tij si futbollist, duke pranuar se refuzimi i Real Madridit është pendimi i vetëm në një karrierë të mbushur me trofe.
Francezi, i cili ishte shtylla kryesore e mesfushës së “Topçinjve” gjatë periudhës më të suksesshme moderne të klubit, pranoi se tundimi i “Santiago Bernabeu” mbetet një “po sikur” i madh edhe shumë kohë pas tërheqjes nga futbolli.
Vieira u konsolidua si një nga mesfushorët më të mirë në futbollin botëror gjatë nëntë viteve në Londrën Veriore, ku fitoi tre tituj të Ligës Premier. Dominimi i tij në “Highbury” tërhoqi natyrshëm vëmendjen e Real Madridit gjatë epokës së “Galaktikëve”, por pavarësisht një ndjekjeje shumëvjeçare nga gjigantët spanjollë, transferimi nuk u realizua kurrë.
Duke folur për Gazzetta dello Sport, Vieira rrëfeu se besnikëria ndaj Arsenalit ishte ajo që e ndali përfundimisht nga kalimi te klubi më i madh në botë.
“Pendohem vetëm për një gjë: që nuk shkova te Real Madridi. Ata ma propozuan për katër vite radhazi, kur isha te Arsenali”.
“Në vitin e fundit thashë po, të gjitha marrëveshjet u mbyllën, por pastaj u mendova më mirë. E doja Arsenalin shumë”, shpjegoi ish-reprezentuesi i Francës.
Gjatë asaj periudhe, presidenti i klubit Florentino Perez këmbënguli fort që ta shtonte Vieiran në një skuadër të mbushur me yje.
Vieira kujtoi më pas edhe një takim të mëvonshëm me shefin e Madridit, i cili tregoi sa afër kishte qenë ai t’i vishte fanellën e bardhë.
“Kur shkova në Madrid si ambasador i Manchester Cityt, ai më solli një artikull në faqen e parë të Marca për transferimin. Më tha: Ti ishe i vetmi lojtar që e refuzoi Real Madridin”, përfundoi Vieira./Telegrafi/


