Please enter at least 3 characters.

GTA VI në telashe? Dalin pamjet e lojës para lansimit

Një rrjedhje e re mund të ketë prishur surprizën për miliona fansa të shumëpritur të GTA VI, e cila pritet të publikohet më 19 nëntor 2026.

Një llogari anonime në X, e njohur si “CyberLeek”, ka publikuar disa video që pretendohet se janë pamje reale nga loja.

Në njërën prej tyre shihet një aeroplan duke fluturuar mbi hartën e gjerë të lojës, ndërsa video të tjera tregojnë vozitje me automjete dhe eksplorim të ambienteve të brendshme.

Harta e GTA VI bazohet në një version të imagjinuar të Floridës, ku dallohen edhe disa prej pikave të njohura të Miamit, përfshirë Freedom Tower, Southeast Financial Center dhe Kaseya Center.

Megjithatë, autenticiteti i pamjeve nuk është konfirmuar.

Rockstar Games dhe Take-Two Interactive ende nuk kanë reaguar publikisht ndaj pretendimeve, ndërsa videot po raportohen dhe hiqen nga platformat online.

Rrjedhja ka shkaktuar reagime të shumta në rrjet.

Disa fansa kanë shprehur zhgënjim me grafikën e pamjeve të publikuara, duke argumentuar se loja, pas shumë vitesh zhvillimi, duhej të dukej edhe më mbresëlënëse.

Ndërkohë, personi pas llogarisë “CyberLeek” pretendon se do të vazhdojë të publikojë materiale nga loja, duke thënë se po e bën këtë në emër të “të drejtave të lojtarëve”.

Deri në një konfirmim zyrtar nga Rockstar, mbetet e paqartë nëse pamjet janë vërtet nga versioni i GTA VI apo janë materiale të manipuluara.